Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) kanë njoftuar se kanë kryer një operacion të suksesshëm ku është vrarë Jamshid Eshaqim, një figurë kyçe në strukturat financiare të forcave të armatosura të Iranit.
Sipas ushtrisë izraelite, Eshaqim drejtonte një drejtori të rëndësishme që merrej me menaxhimin e të ardhurave nga nafta, të cilat shërbenin për të mbështetur aktivitetet ushtarake dhe zhvillimin e kapaciteteve të regjimit iranian, transmeton lajmi.net.
Operacioni, i realizuar më herët gjatë kësaj jave mbi bazën e informacioneve të inteligjencës, synonte goditjen e rrjetit financiar që qëndron pas programeve ushtarake të Iranit, përfshirë prodhimin e raketave balistike.
Autoritetet izraelite theksojnë se Eshaqim kishte rol të rëndësishëm edhe në shpërndarjen e fondeve për grupe aleate të Iranit në rajon, si Hezbollah në Liban dhe rebelët Houthi në Jemen, të cilat konsiderohen si elemente destabilizuese në Lindjen e Mesme.
Sipas IDF-së, për vite me radhë, një pjesë e konsiderueshme e financimit të forcave iraniane ka ardhur nga eksportet e naftës, shpesh duke anashkaluar sanksionet ndërkombëtare. Këto të ardhura, thuhet se janë kanalizuar përmes strukturave të posaçme, duke u shndërruar në burim kryesor për fuqizimin ushtarak dhe zgjerimin e ndikimit të Iranit në rajon dhe më gjerë.
Izraeli e konsideron këtë goditje si pjesë të përpjekjeve për të dobësuar kapacitetet financiare dhe ushtarake të Iranit./lajmi.net/