Dy trupa të pajetë, të një gruaje dhe të një fëmije rreth një vjeç, janë konstatuar në një liqen artificial në Castelguglielmo, në provincën e Rovigos, pasditen e së shtunës, 28 mars.
Alarmi është dhënë nga një kalimtar i rastit, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet.
Trupat janë nxjerrë nga uji nga forcat zjarrfikëse, ndërsa në zonë ka mbërritur edhe një helikopter me ekipin e zhytësve nga Bolonja për të kryer kontrolle të mëtejshme në sipërfaqen ujore.
Hetimet janë ende në fazë fillestare dhe nuk përjashtohet asnjë pistë, nga një aksident i mundshëm deri te një akt i qëllimshëm. Në vendngjarje po punojnë forcat e rendit për të zbardhur rrethanat që çuan në këtë ngjarje të rëndë.
Viktimat ende nuk janë identifikuar, çka e bën të paqartë nëse bëhet fjalë për nënë e bir. Pranë vendit të ngjarjes është gjetur edhe një karrocë fëmijësh.
Çështja po hetohet nga karabinierët, nën drejtimin e prokurorisë së Rovigos. Sipas një kontrolli të parë, trupat nuk kanë shenja dhune. Ndërkohë, personi që dha alarmin është marrë në pyetje nga autoritetet.