Ish-shefi i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, ka deklaruar se më shumë se 200 mijë palestinezë janë vrarë ose plagosur gjatë luftës në Gaza, duke konfirmuar shifrën që prej kohësh është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në Gaza, por që shpesh është mohuar nga zyrtarët izraelitë.
Halevi, i cili drejtoi Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) për 17 muaj gjatë konfliktit, tha se “kjo nuk është një luftë e butë, ne i hoqëm dorezat që në minutën e parë”.
Në deklaratat e bëra në një takim komunitar në jug të Izraelit, ai po ashtu pranoi se asnjëherë nuk u kufizua nga këshillat ligjore gjatë vendimmarrjeve ushtarake. “Asnjëherë nuk më ka ndalur askush. As avokati ushtarak, që në fakt nuk ka autoritet për të më ndalur,” u shpreh Halevi.
Shifrat zyrtare të fundit nga Gaza flasin për mbi 64 mijë të vrarë dhe mbi 163 mijë të plagosur, por mijëra të tjerë konsiderohen ende të zhdukur nën rrënoja. Ndërkohë, burime të inteligjencës izraelite të publikuara më herët tregojnë se mbi 80% e viktimave janë civilë.
Deklaratat e Halevit vënë në pikëpyetje pretendimet e vazhdueshme të zyrtarëve izraelitë se veprimet ushtarake janë gjithmonë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare humanitare.