BallinaLajmeIsa Mustafa e shtrëngon pak bijën e Presidentit Historik

Isa Mustafa e shtrëngon pak bijën e Presidentit Historik

Të ngjajshme

Rrallë merr pjesë në seanca, por është gjithmonë aty kur partitë kundërshtare kanë nevojë për votën e saj. Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, që është e bija e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, ndonëse nuk flet asnjëherë, në raste krizash radhitet me pushtetin. Për Thaçin e Haradinajn ajo doli disa herë edhe kundër partisë të cilën e themeloi e e udhëhoqi për vite me radhë babai i saj. Por, mbrëmë kreu i LDK-së, Isa Mustafa, e paralajmëroi Rugovën, që të vendosë se në anën e kujt është, shkruan Gazeta Express.
Përfaqëson mbi 10 mijë e 84 qytetarë të vendit, por deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh e bija e Presidentit Historik Ibrahim Rugova, Teuta Rugova, asnjëherë nuk e sheh të arsyeshme që ta marrë fjalën në Kuvend.

Madje, ajo nuk është se edhe merr pjesë shumë në seancat e Kuvendit. Prej 80 seancave që janë mbajtur, ajo ka marrë pjesë në vetëm 45 prej tyre.

Por, Rugova edhe pse formalisht në opozitë është gjithmonë e pranishme në seancat që janë vendimtare për koalicionin. Ndonëse fjalëpak, me votën e saj Rugova e ndihmoi shumë herë pushtetin që të dalë nga krizat.

Ajo është gjithmonë aty kur u kërkohet vota e saj, e shpeshherë kundërshton edhe qëndrimet e partisë që e themeloi dhe udhëhoqi për vite me radhë babai i saj i ndjerë, Presidenti Rugova.

Por, nga votuesit dhe partia të cilën e përfaqëson veprimet e saj nuk u pritën mirë. Madje, në zgjedhjet e 11 qershorit ajo edhe u ndëshkua nga ta, ku mori 20 mijë vota më pak sesa në zgjedhjet paraprake.

Pjesëmarrja e saj në turin lobues për vizat bashkë me kryeparlamentarin Veseli e deputetë të tjerë, dhe qëndrimi në seanca kur LDK-ja i braktisi, janë vetëm disa prej rasteve që ajo doli kundër qëndrimeve të LDK-së, e u komentua mjaft shumë.

Por, partia të cilës i doli disa herë kundër, mbrëmë e ka paralajmëruar Rugovën, që të vendosë se në anën e kujt është.

Ka qenë vetë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, i cili ka bërë një paralajmërim të tillë. Ndonëse, Mustafa ka theksuar se Rugova nuk është deputetja e vetme që ka dalë kundër qëndrimeve të partisë. Deklaron se edhe më herët kanë pasur deputetë që kanë dalë nga rendi i partisë.

“Ne jemi ballafaquar me atë problem. Ne nuk e kemi vetëm Teuta Rugovën e cila ka dalë nganjëherë nga rendi i partisë. Ne edhe në mandatin e kaluar kemi pasur disa deputetë, të cilët votonin kundër meje”.

E Mustafa tha se këta deputetë i kanë lënë ashtu, të marrin mend vetë, edhe Teuta duhet të marrë mend vetë, dhe të përcaktojë se me kë është.

“Nëse është me neve rri me neve, nëse nuk është me neve ajo vendos me kë është”, tha ai.

“Deputeti duhet ta respektojë vetveten dhe ta dijë se me votën e kujt ka ardhur në Kuvend. Në qoftë se nuk e di pastaj më vonë e merr vesh siç po e marrin vesh disa deputetë çka kanë vepruar në mandatin e kaluar”, deklaroi Mustafa pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së.

Por, nuk mungoi edhe reagimi i atyre që i dolën në krah Teuta Rugovës. Në mbrojtje të Rugovës, doli ish-ministri i Kulturës nga radhët e LDK-së, Astrit Haraqija, i cili drejtoi akuza të rënda ndaj Mustafës.

Haraqija deklaroi se ka qenë Mustafa ai që e ka ndarë LDK-në dhe që ka rënë në prehër të Hashim Thaçit.

“Opa, opa shoku Isa paska thënë se Teuta duhet me mledhë mend se votat i paska prej partisë tij. Por ti shoku Isë partinë e babës se Teutës e bone pikë e pesë, por ti kundër SHIK-ut e preve Fatmir .Sejdiun dhe erdhe në krye të partisë, po ti ke që ra n’prehen te Hashimit dhe aty përfundove. Ama bash hiq bre ski drejt me fol. Se ti as vet se din ende me cilen parti je, a je LKJ, PREK etj”, ka shkruar Haraqija në llogarinë e tij personale në Facebook.

Për pjesëmarrjen e Rugovës në seancën e thirrur nga pozita në Kuvend, në mbrojtje i kishte dalë edhe Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri, i cili kishte deklaruar se përmes Teutës po mundohen ta tërheqin vëmendjen nga ideja e Presidentit Thaçi për shkëmbim territoresh.

Ndryshe, përpos që Rugova nuk flet asnjëherë në seancat e Kuvendit, ajo nuk është aktive as nëpër rrjetet sociale. Hera e fundit kur Rugova ka bërë postim në Facebook është 21 korriku i 2017-ës. /Gazeta Express

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz