Monday, July 21, 2025
BallinaBujqësiInvestimi i miliona eurove për trashjen e viçave nuk ndali trendin e...

Investimi i miliona eurove për trashjen e viçave nuk ndali trendin e importit të mishit

Të ngjajshme

Ministria e Bujqësisë ka investuar në projekte për trashjen e viçave, por edhe pse ka pasur investime të miliona eurove, nuk është ulur aspak importi në tri vitet e fundit. Në vitin 2013 janë investuar 596 mijë e 526 euro për trashjen e viçave. Në vitet 2014 dhe 2015 për trashjen e viçave dhe përpunimin e mishit janë investuar 6.5 milionë  euro.

Përkundër këtyre investimeve, në periudhën 2013-2015 ka pasur një trend të rritjes së importit për mishin e gjedheve. Në vitin 2013 janë importuar 6.4 milionë  kg mish të gjedheve, vlera e të cilave ishte 16 milionë  euro, ndërsa në vitin 2014 importi ishte 9 milionë kg,  në vlerë 21.4 milionë  euro. Krahasuar me vitin 2013 i bie që ka pasur rritje të importit për 2.8 milionë  kg, ndërsa vlera e importit është rritur për 5.3 milionë euro. . Në vitin 2015 importi i mishit të gjedheve ishte 8.1 milionë kg, që ka pasur koston  21.5 milionë  euro. Pra ka pasur një rënie të importit për 1.1 milionë kg, por jo edhe të vlerës në para, pasi që këtë vit krahasuar me vitin 2014 vlera e importit ka qenë më e madhe për 142 mijë e 654 euro.

Nga viti 2013 deri në vitin 2015 sasia e importuar është rritur për 26%, ndërsa vlera në euro e importit është rritur për 34.5%

Se investimet për plotësimin e nevojave me mish të gjedheve nuk kanë pasur efekt tregojnë edhe shifrat e eksportit. Kosova në vitin 2013 dhe 2014 nuk ka eksportuar asnjë kilogram mish të gjedheve, ndërsa në vitin 2015 ka eksportuar vetëm 1000 kilogramë, vlera e të cilave ka qenë  5 mijë e 500 euro.

Pra Kosova nuk arrin as për së afërmi që t’i përmbushë nevojat e qytetarëve me mish të gjedheve. Viteve të fundit falë investimeve, në vend se të rritet prodhimi, është rritur importi dhe  kjo rritje e importit nuk ka ndodhur për shkak të rritjes së konsumit, pasi që të dhënat nga raportet e MBPZHR-së tregojnë se konsumi i mishit është pothuajse i njëjtë ndër vite. Në vitin 2011 konsumi ishte 22.7 kg për kokë banori brenda një viti, në vitin 2012 konsumi ishte 20.4, viti 2013 ishte pothuajse i njëjtë me 21.0 kg, ndërsa në vitin 2014 konsumi ishte 18.4 kg për kokë banori brenda një viti.

Nëse e bëjmë një krahasim ndërmjet importit dhe eksportit për mishin e gjedhit në periudhën 2013-2015 rezulton se në këtë periudhë janë importuar 23.8 milionë  kg mish të gjedheve, vlera e të cilave ka qenë 58.9 milionë  euro. Eksporti në këtë periudhë kohore ka qenë shumë i vogël, pasi që për tri vite janë eksportuar vetëm 1 mijë kilogramë mish./preportr.cohu.org/

- Advertisement -

Të Fundit