Ish- Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani në një intervistë për Gazetën Express ka komentuar rreth vazhdimit të seancës konstituive, të parës pas shpalljes së aktgjykimit. Kryesuesi nga radhët e VV’së Avni Dehari duke i çuar në vend porositë e Kurtit, përsëri tentoi ta çojë përpara atë për të cilën rasti shkoi në Gjykatë – hodhi në votim komisionin për votim të fshehtë. Sipas Hasanit, sjellja shpërfillëse ndaj aktgjykimit të Kushtetueses ndodhë pasi nuk ka sanksion të qartë për moszbatim. Duke komentuar pretendimet e VV’së se Gjykata ka “lejuar” votimin e fshehtë duke iu referuar aktgjykimit të vitit 2014, Hasani thotë se referimi i tillë është abuziv.
“Gjykata ka theksuar se format dhe modalitetet e votimit janë të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit.
“Për seancën konstituive nuk parashihet një gjë tillë. Kjo është e qartë si drita e diellir, siç thotë populli”, ka thënë ai.
Sipas Hasanit, po të caktonte Gjykata ndonjë sanksion – decertifikimin e deputetëve- situata do të ishte ndryshe.
Hasani duke e vlerësuar tekstin e aktgjykimit konstaton se ai është “i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit”.
Intervista e plotë:
Gazeta Express: Kryesuesi i VV-së e vazhdoi sot seancën konstituive sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Si shpjegohet shpërfillja e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese?
Hasani: Kjo sjellje shpërfillëse ka qenë e pranishme që nga dita e parë e fillimit të seancës konstituive. Çdo aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese, nëse mungon vullneti i mirë dhe i sinqertë për zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, mund të shpërfillet, për shkak se nuk ekziston një sanksion i qartë për moszbatim, apo një garanci institucionale për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, ashtu siç është rasti në disa shtete të Evropës.
Gazeta Express: Gjykata gjeti se propozimi i Deharit për komision për votim të fshehtë nuk ka bazë as në Kushtetutë, e as në Rregullore. Ndërkohë, Vetëvendosje po i referohet një paragrafi të aktgjykimit të vitit 2014, të cilin e ka përmendur Gjykata Kushtetuese, duke thënë se votimi i fshehtë lejohet.
Hasani: Një referim i tillë nga ana e VV-së është në tërësi abuziv dhe ka qenë i tillë që nga fillimi i kësaj seance të papërfunduar konstituive. Gjykata as në vitin 2014, e as tani, nuk ka thënë asnjëherë që votimi në seancën konstituive duhet të jetë i fshehtë. Përkundrazi, Gjykata ka theksuar se format dhe modalitetet e votimit në Kuvendin e Kosovës janë të përcaktuara në Rregulloren e Kuvendit – atëherë dhe edhe sot. Kushtetuta dhe Rregullorja përcaktojnë qartë kur dhe pse votohet në mënyrë të fshehtë. Për seancën konstituive nuk parashihet një gjë e tillë. Kjo është e qartë si drita e diellit, siç thotë populli.
Gazeta Express: Në pikën 187 të aktgjykimit thuhet shprehimisht se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet në bazë të praktikave të etabluara të Kuvendit – që do të thotë votim i hapur, pasi asnjëherë në historinë e Kuvendit nuk është votuar fshehtas për kryetarin e Kuvendit?
Hasani: Risi e këtij aktgjykimi është, ndër të tjera, edhe përcaktimi se konstituimi i Kuvendit duhet të bëhet në përputhje me praktikat e deritanishme. Në këto praktika, asnjëherë nuk është diskutuar as mundësia e votimit të fshehtë, sepse ka qenë aq e vetëkuptueshme që konstituimi i Kuvendit bëhet mbi bazën e një marrëveshjeje paraprake ndërmjet forcave politike që formojnë shumicën e nevojshme për konstituimin e organeve kushtetuese të shtetit.
Gazeta Express: Pasi Dehari (Kurti) veproi siç veproi sot, disa deputetë thanë se kjo përbën shkelje të Kushtetutës, duke paralajmëruar mundësinë që çështja të dërgohet sërish në Gjykatën Kushtetuese. A ka bazë për këtë?
Hasani: Po, ka bazë. Por mendoj se tashmë gjithçka është e qartë dhe nuk ka më nevojë për një angazhim të mëtejshëm të Gjykatës Kushtetuese. Është bërë e ditur se ky ngërç mund të zgjidhet vetëm përmes vullnetit të sinqertë dhe lojalitetit institucional të organeve kushtetuese për bashkëpunim – pra, përmes një marrëveshjeje politike.
Nuk diskutohet që Gjykata Kushtetuese, në parim, mund të vendosë sërish për ngërçin. Por, duke qenë se ajo e ka shpallur të pranueshme kërkesën e parë, ka qenë e domosdoshme që në dispozitiv të ishte e qartë dhe precize – duke përcaktuar saktësisht se cilat janë shkeljet kushtetuese dhe si duhet të riparohen ato. Këtë nuk e ka bërë. Është hera e parë që një aktgjykim nuk përmban një dispozitiv të përshtatshëm për zbatim, sepse nuk përcakton as shkeljet kushtetuese dhe as sjelljet që i adresojnë ato.
Për rrjedhojë, çdo vendim tjetër për të njëjtën çështje e vë në siklet Gjykatën Kushtetuese, sepse do të duhej të korrigjojë vetveten brenda një afati të shkurtër.
Gazeta Express: Si e keni parë gjuhën e përdorur në aktgjykim? A vëreni hezitim të Gjykatës për t’u shprehur me gjuhë më të “guximshme” dhe më precize, duke pasur parasysh natyrën e politikanëve këtu?
Hasani: Arsyetimi është mjaft i qartë, pa asnjë diskutim. Nëse ekziston vullnet i sinqertë dhe lojalitet institucional, gjithçka mund të zgjidhet, sepse aktgjykimi është mjaftueshëm i qartë: në radhë të parë, i ngarkon përgjegjësi partisë së parë që të prijë në procesin e formimit të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar votat përmes procesit politik; dhe së dyti, i ngarkon partitë që nuk janë shumicë me detyrimin për të qenë lojale dhe konstruktive në këtë proces.
Ajo që ka hapur dilemë dhe ka krijuar hapësirë për abuzim lidhet me çështjen e nënkryetarëve të Kuvendit. Është tërësisht gabim të mendohet se ata zgjidhen në bazë të një marrëveshjeje politike: zgjedhja e tyre është pjesë e “koalicionit kushtetues” të paraparë nga Kushtetuta e Kosovës, ashtu siç është rasti me përbërjen e ekzekutivit të vendit. Një shumicë absolute e kërkuar për zgjedhjen e tyre nuk ka qenë dhe nuk është problematike, sepse ata nuk përfaqësojnë Kuvendin e Kosovës si tërësi, por forcat politike dhe komunitetet etnike, gjuhësore dhe fetare të Kosovës. Përveç kësaj, aty votojnë të gjithë ata që mbesin në pakicë dhe që zakonisht përbëjnë shumicën e nevojshme për qëllimet e zgjedhjes së nënkryetarëve të tyre në Kuvend.
Gazeta Express: Si e shihni zgjidhjen tani, kur duket se jemi futur në “lloqin” e interpretimeve? Një interpretues suprem pas Gjykatës nuk ka. Cila është zgjidhja?
Hasani: Janë dy rrugë: e para, përmes një marrëveshjeje politike; dhe e dyta, përmes Gjykatës Kushtetuese. Në rastin e dytë, kam frikë se, gjykuar nga mënyra se si është nxjerrë aktgjykimi i fundit, mund të vijë deri te një paralizë institucionale. Ka shumë pak gjasa që Gjykata Kushtetuese të mund të zëvendësojë vullnetin politik, i cili aktualisht mungon tërësisht.
Sikur Gjykata të kishte qenë e qartë në dispozitiv, gjërat do të kishin rrjedhur ndryshe. Por, siç e dini, ka caktuar një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, që përbën një absurditet në vetvete, sepse nuk shoqërohet me pasoja për shkeljen apo skadimin e tij. Është hera e parë që caktohet një afat kushtetues pa përcaktuar pasojat juridiko-kushtetuese për mosrespektimin e tij – dhe kjo do të mbahet mend.
Një aktgjykim duhet të jetë i kuptueshëm për politikanët dhe për qytetarët e zakonshëm, jo vetëm për ne juristët. Ne, juristët, e kemi pasur të qartë që nga fillimi se si duhet të bëhet konstituimi. Sikur të ishte caktuar një sanksion – për shembull, decertifikimi i deputetëve që nuk zbatojnë aktgjykimin – situata do të kishte qenë ndryshe. Por Gjykata nuk ka mundur të vendosë një sanksion të tillë, sepse vetë dispozitivi, pjesa operative e aktgjykimit, është e paqartë dhe e papërshtatshme për zbatim. Ajo nuk përmban as konstatim të shkeljes kushtetuese, dhe as urdhër për ta adresuar atë. Në këtë kuptim, mund të thuhet se aktgjykimi është i ndrojtur dhe nuk i ka shkuar deri në fund zgjidhjes së ngërçit.