Rrjeti social Instagram është duke testuar një shërbim të ri me abonim, i cili do t’u ofrojë përdoruesve që paguajnë disa funksione shtesë, përfshirë edhe mundësinë për të parë “Story-t” e të tjerëve në mënyrë anonime.
Ndër risitë e tjera që po provohen janë krijimi i një liste të re audience, përveç asaj “Close Friends”, si dhe shtimi i kohëzgjatjes së “Story-ve” edhe me 24 orë të tjera. Aktualisht, “Story-t” në Instagram janë foto dhe video që zhduken pas 24 orësh, ndërsa krijuesi mund të shohë se kush i ka parë ato.
“Qëllimi ynë është të kuptojmë përmes këtyre testimeve se cilat veçori përdoruesit i vlerësojnë më shumë në një paketë premium”, është shprehur një zëdhënës i kompanisë për Bloomberg.
Sipas TechCrunch, testimi i këtij shërbimi me abonim po zhvillohet në disa vende si Meksika, Japonia dhe Filipinet, me një çmim që varion nga 1 deri në 2 dollarë në muaj.
Gjatë viteve të fundit, kompania Meta ka provuar produkte të ndryshme me pagesë për të krijuar burime të reja të ardhurash përtej reklamave, që mbeten burimi kryesor i fitimeve të saj.
Në vitin 2023 u prezantua edhe shërbimi Meta Verified, një abonim për krijuesit dhe bizneset që synon të mbrojë markat nga keqpërdorimi dhe të rrisë besueshmërinë në internet. Ky shërbim ofron katër nivele, ku paketa më e shtrenjtë arrin deri në 500 dollarë në muaj.
Ndërkohë, produkte të tjera me abonim përfshijnë një version pa reklama për përdoruesit në Bashkimin Evropian, si dhe abonime mujore që u japin mundësi fansave të aksesojnë përmbajtje ekskluzive nga krijuesit e tyre të preferuar.