Nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen, ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike.
Kështu u tha në tryezën e diskutimit në kuadër të projektit “Varfëria energjetike në Kosovë II’, të organizuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka organizuar
Drejtori ekzekutiv në INDEP, Burim Ejupi tha se Kosova është në kufi të varfërisë energjetike, për shkak të shtrenjtimit të tarifave të rrymës. Siç tha ai nëse tarifat e energjisë elektrike vazhdojnë të shtrenjtohen ndërsa pagat mbesin të pandryshuara, vendi mund të përballet me nivelin e varfërisë energjetike të vitit 2007.
Përfaqësuesi i Heinrich-Böll-Stiftung, Granit Gashi tha se qëllimi i tyre është të shtyhen përpara kornizat të cilat do të mundësonin tranzicionin energjetik për Kosovën.
Ndërkaq, në kuadër të panelit të diskutimit me temën “Komunitetet e Energjisë për Zbutje të Varfërisë dhe Tranzicion Gjithëpërfshirës”, Besiana Qorraj Berisha nga Ministria e Ekonomisë tha se roli i tyre është hartimi i politikave dhe baza e bashkësive të energjisë.
Ajo potencoi se Strategjia e Energjisë së Republikës së Kosovës për periudhën 2022–2031 përfshin ndër objektivat kyç promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.
Ekspertja për Zhvillim të Kapaciteteve, Lindita Daija, tha se në aspektin e legjislacionit, Kosova tashmë është në një stad të avancuar. Megjithatë, sipas saj, mbetet ende punë për t’u bërë në legjislacionin sekondar, veçanërisht sa i përket organizimit të komiteteve dhe përcaktimit të hapave më konkretë për mënyrën se si duhet të zhvillohet ky organizim.
Ndërkaq, Ekspertja e Burimeve të Energjisë, Zanfina Kabashi, u shpreh se Kosova ka potencial për shumë lloje të burimeve të energjisë së ripertëritshme.
Në raportin e publikuar nga INDEP me temën “Komunitetet e Energjisë dhe Varfërua Energjetike në Kosovë” thuhet se Kosova ndodhet në një moment kritik, pa rregullore të qarta dhe mekanizma financiarë, komunitetet e energjisë rrezikojnë të mbeten në letër.
Në këtë raport paraqiten disa rekomandime, ndër to që Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të themelojnë brenda gjashtë muajve një grup të përbashkët pune, i cili do të ketë për detyrë plotësimin e bazës ligjore për komunitetet e energjisë. Ky proces nuk kufizohet vetëm në miratimin e akteve nënligjore që rrjedhin nga Ligji për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe nga rregulloret e ZRRE-së për skemat mbështetëse, por përfshin edhe amendamentimin e ligjeve ekzistuese.
Përveç kësaj, rekomandimi tjetër është që Ministria e Ekonomisë, në bashkëpunim me institucionet tjera duhet të miratojë brenda 12 muajve një Program Kombëtar për Decentralizimin e Prodhimit të Energjisë, ku komunitetet e energjisë të kenë rol qendror. Ky program duhet të nisë nga komunitetet më të cenueshme nga tranzicioni energjetik dhe luhatjet e çmimeve të energjisë, duke e bërë parimin “mos lini askënd pas” kriter udhëheqës.
Po ashtu, në raport thuhet se ZRRE dhe KOSTT duhet të publikojnë brenda 18 muajve një hartë kombëtare që përfshin: kapacitetet e rrjetit (LV/MV), afërsinë me nënstacione, pikat e ngarkesës, kufizimet teknike dhe shpërndarjen territoriale të varfërisë energjetike.
Rekomandimet përfshijnë edhe vendosjen e objektivave kombëtare (deri në fund të vitit 2026) si dhe ndërmarrjen e një fushate vetëdijesimi ku përfshirja e shkollave teknike të jetë prioritet për edukimin e brezit të ri.