back to top
Monday, December 22, 2025
BallinaLajmeIa drejton armën dhe e kërcënon: Ti më ke borxh, e po...

Ia drejton armën dhe e kërcënon: Ti më ke borxh, e po më çon selam – të vras si qenin

Të ngjajshme

- Advertisement -

“Ti më ke borxh mua dhe po më çon selam… tash të vras si qenin” – ishte kërcënimi që babai i dy fëmijëve ia bëri personit N.R., i cili i kishte para borxh. Ai madje ia kishte drejtuar edhe armën duke i thënë se do ta vrasë. Krejt kjo ngjarje u tentua të fshihet nga familjarët e kërcënuesit, të cilët gjithashtu u dënuan nga gjykata për këtë rast. Por, asnjëri prej tyre nuk u dënua ashtu siç e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore e Prishtinës i shpalli tre persona fajtorë, por atyre u shqiptoi vetëm dënim me gjobë. Lehtësimi i dënimit erdhi pasi ata e pranuan fajësinë dhe u penduan thellë për të bëmat që u ngarkuan.

Bëhet fjalë për një rast të ndodhur më 3 prill të vitit 2013, e që epilogun gjyqësor e fitoi vetëm në fund të 2017-ës.

Shkalla e parë i ka shpallur tre persona fajtorë për vepra penale të ndryshme. Njëri nga ta dënohet për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse dy të tjerët për dhënien e ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprave penale. Të tre personat, që nga fillimi i procesit gjyqësor deri në përfundim, e pranuan fajësinë dhe, siç thotë gjykata, u penduan thellë rreth kësaj çështjeje, shkruan Gazeta Express.

Në fshatin Zabel i Ulët të Komunës së Gllogocit, pikërisht në dyqanin “G…”, i dënuari B.M, pas një fjalosjeje rreth një borxhi me të dëmtuarin N.R, i është drejtuar viktimës me fjalët: “Ti më ke borxh mua dhe po më çon selam!”.

Në ato momente, siç e shpjegon aktgjykimi i Themelores në Prishtinë, tashmë i dënuari e ka nxjerrë nga brezi revolen e tipit “TT”, të mbushur me pesë fishekë dhe ia ka drejtuar N.R.-së.

Sipas dëshmive të dhëna në gjykatë, thuhet se i dënuari kishte për qëllim kërcënimin dhe frikësimin, duke i thënë “tash të vraj si qenin”. Më pas, B.M, është larguar nga dyqani dhe revolen që e mbante në duar ia dha personit të tretë, gjithashtu të dënuar nga gjykata, me iniciale E.M.

Arsyeja pse nuk e mbajti në dorë revolen dhe ia dha dikujt tjetër, ishte me qëllim që ta fshihte. Mirëpo, kjo armë ka arritur të gjendet nga policia dhe është konfiskuar.

Arma të cilën e posedonte B.M, është e tipit “TT”, me kalibër 7.62mm, e llojit M57.

Të akuzuarit tjerë, E.M dhe N.M, u dënuan nga gjykata për shkak se i kanë ndihmuar kryerësit, B.M, duke e fshehur armën me të cilën ka bërë vepër penale, kërcënim ndaj N.R.

Pasi personi me iniciale B.M, ia dorëzoi armën E.M.-së, ky i fundit e dërgoi armën në dhomën e N.M.-së, me qëllim që ta fshehë. Të tre të dënuarit i përkasin së njëjtës familje.

Dy të fundit u ngarkuan dhe u dënuan për vepër penale “dhënia e ndihmës pas kryerjes së veprave penale”. Mirëpo, Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur që këtyre tre personave t’u shqiptojë vetëm dënim me gjobë, edhe pse këtë dënim nuk e parasheh Kodi Penal i Republikës së Kosovës për veprat penale për të cilat këta të tre persona ngarkohen.

B.M dënohet me dënim unik me gjobë në shumën prej 1 mijë e 700 euro, E.M dhe N.M me nga 500 euro dënim.

Mirëpo, nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës, përkatësisht neni 375 “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, paragrafi i dytë, thotë se “kushdo që përdorë armën apo mjetin e rrezikshëm në mënyrë kërcënuese ose frikësuese, dënohet me gjobë deri në dhjetëmijë euro dhe me burgim prej 1 viti deri në 10 vjet. Gjykata e ka dënuar B.M’në në bazë të këtij neni, por nuk i ka shqiptuar masën e dënimit ashtu siç shkruan në Kodin Penal për këtë vepër penale.

Njëjtë ky organ i drejtësisë ka vepruar edhe me dy të dënuarit e tjerë, E.M dhe N.M. Në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, nenin 388 “dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale”, paragrafi 2., 2.9, thonë se “nëse vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni ka të bëjë me një apo më shumë prej veprave penale në vijim, kryesi dënohet me burgim prej gjashtë deri në pesë vjet për vepra penale të armëve.

Prokurori i shtetit për këtë rast, siç thuhet në aktgjykim, është pajtuar me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve. Ndërkaq, Gjykata e aprovoi pranimin e fajësisë, pasi që u bind se të akuzuarit e kanë kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajit.

“…pranimi është bërë vullnetarisht, pas konsultimit të mjaftueshëm me mbrojtësit av.A.S dhe av.H.B ku  edhe vetë i akuzuari N.M pranoi fajësinë dhe pranimi i fajit mbështetet në faktet e çështjes që përmban aktakuza, në materialet e prezantuara nga prokurori i shtetit dhe aktakuza nuk përmban asnjë shkelje të qartë ligjore, ose gabime faktike:”, thuhet në aktgjykim, shkruan Express.

Kështu, Gjykata duke marrë parasysh se pranimi i fajësisë është arritur në shqyrtimin fillestar, ka vepruar konform nenit 248 par.4 të KPPRK-së kur kryetari i trupit gjykues mund të vazhdojë procedurën me shqiptimin e dënimit pa shkuar fare në shqyrtim gjyqësor dhe pa e plotësuar trupin gjykues.

“…Gjykata pa fjalë përfundimtare, pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve dhe pasi që bindet se janë vërtetuar faktet lidhur me pranimin e fajësisë, të njëjtën ditë vazhdoi me shqiptimin e dënimit, duke marrë parasysh se të akuzuarit veprën penale e kanë kryer me dashje direkte, kanë qenë të vetëdijshëm për veprimet e veta dhe e kanë dashur kryerjen e saj”, thuhet mes tjerash në aktgjykim.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz