I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në fshatin Golluboc të Malishevës, është arrestuar mëngjesin e sotëm. Ai është gjetur i plagosur nga Policia e Kosovës.
Drejtori i Policisë për Rajonin e Gjakovës, Lumni Graishta, ka deklaruar për Reporteri.net se i njëjti dyshohet se është plagosur gjatë përleshjes me viktimat.
Ai ka marrë trajtim mjekësor në QMF-në e Malishevës, për t’u tranferuar më pas për në QKUK.
Dy vëllezërit mbetën të vdekur para dyerve të shtëpisë dje në Golluboc të Malishevës.
Të afërm të viktimave treguan se i dyshuari ka ardhur ta marrë bashkëshorten, motrën e dy viktimave, e cila po qëndronte te familja pasi disa ditë më parë i vdiq babai.
Në të dalë nga shtëpia, jashtë dyerve të oborrit ka nisur konflikti mes dhëndrit dhe vëllezërve, ndaj të cilëve shtiu me armë dhe i la të vdekur.
I dyshuari edhe më parë kishte pas aktakuzë për dhunë në familje. Atij ishte ngritur aktakuzë në prill të këtij viti për dy vepra penale “Dhunë në Familje” dhe “Kanosje”.