Një tragjedi ka ndodhur të enjten në mesditë në rrugën magjistrale Prishtinë–Podujevë, në fshatin Sekiraqë, ku një fëmijë ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku.
Rreth orës 13:26 ka ndodhur përplasja ndërmjet një veture të tipit Opel Astra me ngjyrë të zezë dhe një traktori të tipit Ferguson me ngjyrë të kuqe. Në veturë ndodheshin dy persona, përfshirë edhe viktimën, Benjamin Hasani, i cili ishte pasagjer.
Përkundër përpjekjeve të shpejta të ndihmës së parë, mjekët e Emergjencës në Podujevë vetëm e kanë konstatuar vdekjen e tij. Ndërkohë shoferi i automjetit, Osman Mulliqi, 45 vjeçar, ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, përfshirë Trafikun Rajonal dhe Hetimet, si dhe Prokurori i Shtetit. Me urdhër të këtij të fundit, trupi i pa jetë i të miturit është dërguar në IML për obduksion.
Ndaj shoferit të dyshuar është lëshuar aktvendim për ndalim 48-orësh nën dyshimin për shkaktim të aksidentit me pasojë vdekjen.
Rasti është cilësuar si “Aksident trafiku me fatalitet” dhe hetimet janë në zhvillim./Sinjali/