Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni ka takuar sot komandantin e KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta me të cilin ka diskutuar efektet destabilizuese që ka pasur vizita e Gjeneralit serb, Dikoviq, i akuzuar për krime lufte në Kosovë.
Hyseni i përcolli komandantit të KFOR-it shqetësimin e thellë rreth vizitës së Gjeneralit Dikoviq, me ftesë të KFOR-it duke vlerësuar lartë kontributin e këtyre të fundit në Kosovë.
“Vizitat e tilla të ushtarakëve serbë, të akuzuar nga shoqatat e të drejtave të njeriut, duke përfshirë edhe ato serbe, për krime lufte në Kosovë, nuk i kontribuojnë rendit dhe sigurisë së përgjithshme” ka thënë ministri Hyseni.
Sipas tij, vizitat e tilla mund të destabilizojnë situatën dhe janë të papranueshme dhe nuk duhet të ndodhin.
Ministri Hyseni dhe komandanti i KFOR-it, Guglielmo Luigi Miglietta, u dakorduan që komunikimi në mes të KFOR-it dhe MPB-së, në të ardhmen të jetë më efektiv, në mënyrë që vizitat nga ana e individëve apo ushtarakëve nga Serbia, të akuzuar për krime lufte në Kosovë të mos ndodhin.