Gjeografi Fitim Humolli, ka dhënë dorëheqje këtë të hënë nga Komisioni për Matjen e Territorit të Kosovës.
Ai ka thënë se arsyet e dorëheqjes së tij janë të shumta, njofton Klan Kosova.
“kryesorja është që konteksti i matjes dhe prezantimit, për mua është jo profesionale dhe arsyet tjera janë shkelje joprofesionale që janë bërë në të gjitha takimet që kemi pasur”, ka thënë Humolli në Info Magazine.
“Kërkesat e mia kanë qenë të qarta, kam kërkuar që të zbatohet metodologjia për matjen e territorit, ndërsa kjo nuk është bërë asnjëherë. Kam ngritur shqetësimin tim lidhur me idetë që kanë përdorur për të arritur deri tek rezultati përfundimtar por një gjë e tillë nuk është pranuar dhe është anashkaluar nga ta ndërsa në takimet e radhës është vërtetuar konstatitimi se çdo gjë është e njëanshme, dhe është e orientuar drejt kadastrit”, ka pohuar ai më tej.
Ai ka theksuar se gjetjet e deritashme tregojnë se ky komision është themeluar për të vërtetuar gjetjet e komisionit të mëhershëm për demarkacionin.
“Dita e nesërme shpalos të gjeturat falso, por për ne si anëtarë ato janë shfaqur sot, pasi kam dëgjuar këtë version nga Kryesuesi i Komisionit, sepse nuk është asgjë më shumë se një komunikatë politike”, ka shtuar Humolli.
Më tej ka treguar se dorëheqja e tij nuk vjen nga ndonjë mosmarrëveshje më ndonjë nga anëtarët e komisioni, as me kryetarin Hivzi Islamin.
“Janë disa anëtarë të Komisionit, që janë profesionistë që kanë pasur pakënaqësi me procedurat e ndjekura që nga fillimi”.
“Në dokumentin e tërheqjes sime kam dhënë arsyet e mia, kurse edhe dy pjesëmarrës do të japin dorëheqje”, ka pohuar ai.
“Një pjesë e madhe e tyre janë joprofesionistë, vijnë nga institucione që janë jorelevante për këtë çështje. Nëse marrin pjesë kryetar komunash, nuk e di se për çfarë profesionalizmi flasim”.
Humolli ka treguar se është person i papolitizuar, duke shtuar kështu se nuk është anëtar i asnjë partie politike dhe se përfaqëson vetëm qëndrimet personale.
Ai pohoi se edhe më herët ka pasur prononcime për demarkacionin dhe se nuk është pajtuar që kufiri kadastral të mos jetë edhe kufi shtetëror.
“Nuk do të thotë se ai duhet të jetë kufi shtetëror i një vendi”.
“Mangësitë që shprehen me pamundësinë për të mbuluar territorin me kadastër kjo nuk do të thotë se duhet të falet territor”, ka përfunduar Humolli.