Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka përshëndetur njohjen e Sirisë si zhvillim pozitiv për vendin. Ai rikujtoi mbështetjen e tij ndaj opozitës siriane që nga marsi i vitit 2011, duke luftuar kundër regjimit të Asadit.
“Që nga 15 marsi 2011 kam mbështetur opozitën siriane për ta larguar regjimin brutal të Asadit. Më 26 prill 2012 pritëm në zyrën time në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës opozitën siriane. Kam mbështetur luftën e tyre dhe kam bërë thirrje për ndërhyrje ushtarake, duke publikuar analiza edhe në Foreign Policy,” tha Hoxhaj.
Ai kujtoi pjesëmarrjen në takimet e “Miqve të Sirisë” që nga Paris, 2012, dhe takimet me ministrat e Qeverisë së re siriane në pranverën e vitit 2025, pas rrëzimit të regjimit të Asadit.
“I gëzohem këtij lajmi, ashtu siç i gëzohen shqiptarët që jetojnë në Ballkan, por edhe ata në Damask e në Siri,” shtoi Hoxhaj, duke theksuar rëndësinë që Kosova të qëndrojë gjithmonë në mbështetje të kauzave të drejta ndërkombëtare.