Hoxha në 27-vjetorin e Policisë: 27 vjet histori, sakrificë dhe përkushtim në shërbim të Kosovës

Me datën 6 shtator 2026 u mbajt ceremonia solemne e 27 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, ku morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare. Këtë ceremoni me pjesëmarrje e nderuan edhe personalitetet më të larta shtetërore, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes znj. Albulena Haxhiu, Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, Ministri i Punëve të Brendshme z. Sveçla, të cilët iu drejtuan të pranishmëve me nga një fjalë rasti.
Në ceremoni po ashtu të pranishëm ishin dhe familjarët e ish- zyrtares policore të rënë në detyrë, Sebahate Tolaj.
Të gjithë uruan Policinë e Kosovës, duke theksuar se Policia e Kosovës përgjatë këtyre 27 viteve është ndërtuar si organizatë moderne, profesionale dhe e përkushtuar ndaj zbatimit të ligjit, shërbimit me përkushtim, profesionalizëm dhe vullnet të palëkundur ndaj qytetarëve. Policia e Kosovës, falë punës me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë, mbetet njëri ndër institucionet më të besueshme dhe transparente në vend.
E me këtë rast drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Gazmend Hoxha tha se kjo është një ditë krenarie për policinë, institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Fjalimi i plotë i drejtorit Hoxha:
FJALIMI I DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM ME RASTIN E 27
VJETORIT TË THEMELIMIT TË POLICISË SË KOSOVËS
27 VJET RRUGËTIM POLICOR
Sot është një ditë e veçantë, një ditë krenarie për Policinë e Kosovës, për institucionet e Republikës së Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë.
Me një ndjenjë të veçantë nderi dhe përgjegjësie, sot shënojmë 27 vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës – një institucion që gjatë këtyre viteve është ndërtuar, zhvilluar dhe forcuar mbi parimet e ligjit, profesionalizmit, integritetit dhe shërbimit ndaj vendit dhe qytetarëve.
Rruga jonë gjatë këtyre 27 viteve nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ajo ka kaluar nëpër sfida të shumta, por në secilën prej tyre Policia e Kosovës ka dëshmuar vullnetin, profesionalizmin dhe aftësinë për t‘iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të kohës.
Nga hapat e parë të krijimit të saj, me 06 shtator 1999, e deri më sot, Policia e Kosovës është shndërruar në një institucion modern, profesional dhe të besueshëm, i cili me përkushtim të lartë kujdeset për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e jetës dhe pronës së qytetarëve, luftimin e kriminalitetit dhe garantimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Të nderuar të pranishëm!
Në këtë përvjetor, para se të flasim për arritjet dhe të ardhmen, duhet të ndalemi me respekt para atyre që e kanë shkruar me sakrificën e tyre një pjesë të historisë së këtij institucioni.
Ne sot kujtojmë me nderim dhe respekt të gjithë ata zyrtarë policorë që kanë dhënë kontributin e tyre në ndërtimin dhe zhvillimin e Policisë së Kosovës.
Një pjesë e tyre sot nuk janë pjesë e shërbimit aktiv, pasi kanë përfunduar karrierën e tyre dhe kanë dalë në pension, por kontributi i tyre nuk përfundon me daljen në pension. Ai mbetet pjesë e historisë, traditës dhe kujtesës së Policisë së Kosovës.
Ne që sot vazhdojmë të shërbejmë në radhët e Policisë së Kosovës, mbajmë mbi supe përgjegjësinë për ta vazhduar këtë rrugëtim, për ta ruajtur atë që është ndërtuar dhe për ta çuar institucionin përpara.
Ata që shërbyen dje dhe ata që shërbejnë sot, janë pjesë e të njëjtës histori, e të njëjtit mision dhe e të njëjtës familje policore.
Në veçanti, kujtojmë me nderim të thellë të gjithë zyrtarët policorë që kanë dhënë jetën në krye të detyrës.
Siguria e vendit tonë është shkruar me gjakun e policëve të rënë në krye të detyrës.
Ne do të përulemi gjithmonë me respekt para kujtimit të tyre!
Sakrifica e tyre është pjesë e historisë së Policisë së Kosovës dhe do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e popullit të Republikës së Kosovës.
Amaneti i tyre, mbetet detyrimi ynë!
Motra dhe vëllezër të armës policore,
Institucionet nuk ndërtohen vetëm me ligje.
Forca më e madhe e Policisë së Kosovës janë njerëzit e saj.
Janë me mijëra gra dhe burra që çdo ditë dhe çdo natë, në çdo pjesë të vendit, mbajnë mbi supe një përgjegjësi të jashtëzakonshme: përgjegjësinë për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve tanë.
Ndërsa qytetarët janë të sigurt në shtëpitë e tyre, policët janë në detyrë: në rrugë, në kufi dhe në çdo cep të vendit, duke kryer misionin e tyre.
Ata përballen me situata të vështira, me rreziqe dhe sfida të ndryshme, duke vendosur sigurinë e të tjerëve para sigurisë së tyre personale.
Kjo është përgjegjësia që mbart uniforma jonë.
Dhe kjo është arsyeja pse uniforma e Policisë së Kosovës duhet të jetë gjithmonë simbol i profesionalizmit, integritetit, guximit dhe respektit për qytetarët.
Një uniformë mund ta veshë një njeri, por nderin e saj e mbajnë të gjithë ata që shërbejnë me besë!
Profesionalizmi, integriteti dhe përkushtimi janë themeli mbi të cilin ndërtohet besimi i qytetarëve ndaj Policisë së Kosovës.
Ky besim nuk fitohet një herë e përgjithmonë. Ai fitohet çdo ditë, me çdo veprim, me çdo vendim dhe çdo shërbim ndaj qytetarit.
Të dashur qytetarë!
Besimi juaj është forca dhe motivimi ynë më i madh!

Lexo edheKushtrim Kelani i propozon martesë Aurorës “live” në emision
Policia e Kosovës do të vazhdojë të punojë çdo ditë për të qenë më pranë jush, për të dëgjuar shqetësimet tuaja dhe për t‘iu përgjigjur në kohë nevojave tuaja, me profesionalizëm, paanshmëri dhe respekt.
Siguria nuk është vetëm përgjegjësi e Policisë!
Siguria është përgjegjësi e përbashkët!
Prandaj, bashkëpunimi ndërmjet qytetarëve dhe Policisë së Kosovës mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme për ndërtimin e një shoqërie të sigurt, demokratike dhe të drejtë.
Të nderuar të pranishëm
Policia e Kosovës sot është një institucion që bashkëpunon ngushtë me partnerët tanë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Bashkëpunimi me institucionet e sigurisë, organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë policore partnere ka qenë dhe mbetet një faktor i rëndësishëm në ngritjen e kapaciteteve tona profesionale dhe operacionale.
Jemi krenarë për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin që kemi ndërtuar ndër vite me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe i falënderojmë për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin dhe avancimin e Policisë së Kosovës që nga themelimi i saj e deri më sot.
Bota po ndryshon. Bashkë me të ndryshojnë edhe sfidat me të cilat përballemi.
Kriminaliteti i organizuar, krimi kibernetik, terrorizmi, trafikimi me njerëz, kontrabanda dhe format e tjera të kriminalitetit kërkojnë nga ne vigjilencë të vazhdueshme, profesionalizëm të lartë, teknologji moderne dhe përgatitje të avancuar profesionale.
Nëse ne e humbim vigjilencën, shkelësit e ligjit nuk e humbasin.
Përkundrazi, ata do të përpiqen të shfrytëzojnë çdo dobësi.
Prandaj, Policia e Kosovës do të vazhdojë të investojë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, avancimin e teknologjisë, modernizimin e infrastrukturës dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Objektivi ynë është i qartë:
Një Polici moderne, profesionale, e besueshme dhe gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
Të nderuar kolegë,
27 vjet janë histori!
Por janë edhe një përgjegjësi për të ardhmen!
Skuadrat e mëdha qëndrojnë të bashkuara!
Nuk ka forcë më të madhe se bashkimi, besnikëria dhe rrugëtimi i përbashkët drejt të drejtës dhe sigurisë!
Prandaj, le ta ruajmë atë që kemi ndërtuar.
Le ta forcojmë atë që kemi arritur dhe le ta ndërtojmë së bashku Policinë e Kosovës që qytetarët tanë e meritojnë dhe që brezat e ardhshëm do të jenë krenarë të shërbejnë.
Në emër të Policisë së Kosovës, ju falënderoj të gjithëve për mbështetjen, bashkëpunimin dhe besimin tuaj!
Në këtë 27 vjetor, ne nuk kujtojmë vetëm historinë e një institucioni.
Ne nderojmë përkushtimin e mijëra zyrtarëve policorë!
Nderojmë sakrificën e atyre që dhanë jetën në krye të detyrës!
Nderojmë besimin e qytetarëve!
Nderojmë rrugëtimin e një institucioni që është rritur së bashku me shtetin tonë!
Por mbi të gjitha, sot riafirmojmë fjalën tonë për të ardhmen…
Të dashur kolegë
Qofshi gjithmonë të sigurt në kryerjen e detyrës dhe të udhëhequr nga misioni për t’i shërbyer qytetarit dhe Republikës së Kosovës.
Nderim dhe respekt për të gjithë ata që kontribuuan në rrugëtimin tonë!
Lavdi të gjithë policëve që dhanë jetën në krye të detyrës!
Duke iu uruar 27 vjetorin e Policisë së Kosovës, njëherit ju falënderojmë të gjithëve, ku me pjesëmarrjen tuaj na nderuat dhe e madhështuat këtë ceremoni solemne!













