Avokati Valdet Hoxha ka folur për zhvillimet e fundit rreth zgjedhjes së presidentit, duke theksuar se situata mbetet e paqartë dhe me pak gjasa për një zgjidhje të sigurt.
Hoxha deklaroi se, bazuar në qëndrimet publike të liderëve partiakë, ekziston një pajtim i heshtur kundër shkuarjes në zgjedhje të reja.
“Mund të themi se janë 50 me 50. Vullneti për të shkuar në zgjedhje nuk ekziston, por edhe siguria që do të zgjidhet presidenti nuk është e madhe. Është një moment interesant, pasi asnjëra parti nuk i ka të garantuara 80 vota për dy raundet e para, ndërsa 61 votat në raundin e tretë duken opsion i vështirë”, theksoi ai.
Duke folur për emrat e mundshëm, Hoxha përmendi mundësinë që kandidati të vijë nga opozita.
“Unë mendoj që mund të jetë një kandidat nga opozita, sepse kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se nuk kanë kandidat nga Lëvizja Vetëvendosje. Ka lënë hapësirë që opozita të propozojë një emër”, deklaroi Hoxha në Tëvë1.
Ai shtoi se në kalkulimet politike mund të përfshihet edhe emri i Murat Jashari si kandidat i mundshëm nga radhët e PDK-së, ndërsa paralelisht, sipas tij, shihet një preferencë për bashkëpunim me LDK-në.
“Z. Kurti po luan në dy fronte: në njërën anë llogarit votat për një kandidat të PDK-së, ku mund të jetë edhe Murat Jashari, ndërsa në anën tjetër shihet një preferencë për bashkëpunim me LDK-në. Por sfida mbeten numrat, sepse nuk janë afër 80 votave”, përfundoi Hoxha.