Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka deklaruar se masakra në Krushë të Vogël ishte krim i organizuar nga strukturat shtetërore serbe, duke kërkuar njëkohësisht që Serbia të hapë arkivat e saj për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.
Ai ka theksuar se edhe pas shumë vitesh, dhimbja e familjarëve mbetet e njëjtë, sidomos për shkak të mungesës së informacioneve për të zhdukurit, ndërsa ka përmendur edhe rivarrimet e fundit të viktimave si dëshmi të plagës së hapur.
“Serbët vranë dhe masakruan 113 shqiptarë. Familje të tëra u shkatërruan, një fshat i tërë u godit në mënyrë sistematike. Këto nuk ishin akte të rastësishme. Këto ishin krime të organizuara nga strukturat shtetërore serbe. Në këtë vend, më 26 mars, u pa qartë dallimi mes njerëzores dhe barbarisë. Forcat serbe masakruan burra, pleq dhe fëmijë, dhe tentuan të zhdukin çdo gjurmë të krimit”, tha ai.
“Dhe për mu, Krusha e Vogël jo vetëm që nuk shkon duke e lehtësuar dhimbjen e saj, por vazhdon të i trazohet e njëjta edhe me mungesën e 60 familjarëve të tyre të zhdukur, ku para katër vitesh ne i kemi rivarrosur shtatë martirë tashmë të kombit, dhe sot po e bëjmë edhe një martir tjetër të kombit të Kosovës”, tha ai.
“Rasti i familjes së Nuredin Shehut e tregon faktin qartë përmasën e kësaj tragjedie. Ai vëlla, Ajvaz Nuredin Shehu, ishte vetëm 15 vjeç. Një fëmijë që pa me sytë e tij tmerrin e asaj dite”, tha ai.