Hoti: Ne jemi trashëgimtarët e denjë politikë të Rugovës

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me banorët e Dragashit, ka thënë të premten se LDK dhe lidershipi i saj janë trashëgimtarët e Presidentit Historik Ibrahim Rugova.
“Arkitekti i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, presidenti ynë doktor Rugova, na la një bagazh të madh intelektual, politik dhe kombëtar. Një jetë të tërë ai u sakrifikua për popullin dhe shtetin e tij. Rugova ishte figura më e pastër politike që njeh Evropa. Bota me të drejtë e quante Gandi i Ballkanit”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se ne ja kemi borxh Rugovës dhe popullit të Kosovës një lidership politik me duar të pastra, të dijshëm dhe vizionar.
“Ne jemi Brezi i Republikës, të cilin e kishe ideuar dhe parashikuar Presidenti ynë historik Ibrahim Rugova. Ne jemi trashëgimtarët e denjë politik të Presidentit Rugova, profesionalë dhe me duar të pastra, pa asnjë aferë korruptive dhe kriminale. Ne do ta jetësojmë vizionin e Rugovës për një Kosovë demokratike të zhvilluar, anëtare të BE-së dhe në miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Hoti.
Ai ka shtuar se, nëse dëshironi të jetësoni idealin e doktor Rugovës për një Kosovë demokratike, dilni më 11 qershor votoni numrin 16 dhe listën e kandidatëve tonë.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se tubimi në Dragash dhe tubimet tjera në gjithë Kosovës janë dëshmia që ne do të fitojmë.

Lexo edheHaradinaj: Kosovën do ta shndërrojmë në fuqi energjetike të rajonit
“Salla nuk ka mjaftuar për t’i pranuar të gjithë, prandaj kanë mbetur shumë njerëz jashtë. Jam shumë i bindur që ky koalicion i përbërë nga LDK-AKR-Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi do t’i fitojë këto zgjedhje. Kam qenë shpeshherë këtu, u kam vizituar, por sot dëshiroj t’u flasë kandidati për kryeministër, z. Avdullah Hoti. Është i përgatitur, njeri i duhur për Kosovën dhe njeri i cili do t’i dalë në krye t’i kryejë përgjegjësitë që i ka marrë”, ka thënë Mustafa.
Sylejman Kryeziu, kryetar i LDK-së, Dega e Opojës ka thënë se secili prej jush ka tejkaluar vetveten për të bërë një koalicion, të cilin mua po më pëlqen ta quaj koalicion i diellit, që është në kundërshtim me atë koalicionin e territ dhe natës.
“Jemi në ditën e dytë të fushatës dhe tashmë përkrahja për koalicionin nuk ka të ndalur. Ky është koalicion i fitores, koalicion i dritës. Më 11 qershor, ju do të dëshmoni që vendi do të drejtohet nga njerëzit më të mirë që i ka vendi. Fitorja na takon ne dhe fitoren do ta vulosim bashkë. Ky koalicion e ka vetëm një qëllim, bërjen e Republikës një vend ku secili respektohet dhe ndihet i barabartë në familjen evropiane”, ka thënë Kryeziu














