Prishtinë – Republika e Kosovës ka shënuar një arritje historike dhe të shumëpritur: përfundimin e Sistemit të Adresave për të gjithë territorin e saj. Pas vite të tëra pune, përkushtimi dhe bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe komunave, sot Kosova ka një sistem adresash të organizuar dhe të digjitalizuar, sipas standardeve ligjore dhe moderne evropiane.
Procesi i emërtimit të rrugëve ka qenë një nga sfidat më të mëdha institucionale ndër vite, jo vetëm për shkak të kompleksitetit teknik, por edhe për shkak të situatës politike dhe administrative në disa komuna. Megjithatë, përmes përkushtimit të palëkundur të Agjencisë Kadastrale dhe bashkëpunimit të ngushtë me komunat, u arrit që edhe zonat më të ndjeshme – si Novobërdë, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – të përmbyllin këtë proces. Kjo nënkupton se për herë të parë, çdo qytetar dhe çdo institucion në Kosovë ka një adresë të qartë dhe të dokumentuar zyrtarisht.
Kjo arritje nuk është thjesht teknike. Sistemi i adresave ndikon drejtpërdrejt në përditshmërinë e qytetarëve. Ai përmirëson qasjen në shërbime publike, mundëson lokalizimin më të saktë të adresave, lehtëson punën e institucioneve dhe bizneseve, si dhe rrit efikasitetin e shërbimeve të urgjencës, postës dhe logjistikës. Për më tepër, digjitalizimi i plotë i emërtimeve të rrugëve në Sistemin e Adresave (ARIS) ka hapur rrugën drejt një infrastrukture të re teknologjike, ku çdo e dhënë është e qasshme, e saktë dhe e integrueshme me platformat tjera të shërbimeve publike.
Me finalizimin e emërtimeve të rrugëve, tashmë është përfunduar edhe faza e parë e digjitalizimit në ARIS. Procesi është duke vazhduar me shenjat orientuese dhe numrat e objekteve, duke vendosur standarde moderne për gjithë territorin e vendit. Kjo do të mundësojë që navigimi, planifikimi urban dhe menaxhimi i hapësirave të bëhen më të sakta, duke i afruar qytetet dhe fshatrat e Kosovës me praktikat më të avancuara evropiane.
Përveç përfitimeve praktike, kompletimi i Sistemit të Adresave është një nga parakushtet për procesin e integrimit evropian. Një sistem adresash i organizuar, i digjitalizuar dhe funksional është bazë për administrim më efikas, transparencë dhe ofrim të shërbimeve publike sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Ky hap dëshmon se Kosova është e gatshme të ndërtojë institucione më funksionale dhe të besueshme për qytetarët e saj.
Agjencia Kadastrale e Kosovës, nën udhëheqjen e Z.Avni Ahmetit, në një deklaratë publike, ka theksuar se kjo arritje është vetëm një fillim i një procesi më të gjerë të digjitalizimit dhe modernizimit të shërbimeve:
“Përkushtimi ynë mbetet i pandryshuar: të avancojmë, të digjitalizojmë dhe të ofrojmë shërbime gjithnjë e më cilësore për qytetarët e Kosovës,” thuhet në njoftim.
Kjo arritje historike nuk është vetëm një fitore institucionale, por edhe një fitore qytetare. Për herë të parë, qytetarët e Kosovës do të kenë adresa të qarta, të digjitalizuara dhe të pranuara zyrtarisht – një hap që vendos themele të forta për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik, shoqëror dhe integrimin e vendit në strukturat evropiane.