Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka vazhduar linjën e kontestuar të përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar Kuvendi, duke propozuar pas Donika Gërvallës edhe ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati — një figurë që njihet për qëndrimet kritike ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Para angazhimit në politikë, Murati kishte bërë postime shkrimore me ton të ashpër e përçmues për veteranët e UÇK-së. Në një status të vitit 2016 ai ironizonte: “Tre muajt e një ushtrie guerile dojnë me na dalë shumë ma shtrejtë se një ushtri e rregullt…”, krahasuar me koston e përfitimeve të veteranëve, duke sugjeruar se “mercenarë do të dilnin më lirë”, transmeton lajmi.net.
Po ashtu, në vitin 2018, ai shkruante me sarkazëm: “Veç sa të kthehen veteranët prej deti, se e sheh Hashimi qysh guxon me i falë tokë Serbisë…” — një koment që u konsiderua i papranueshëm dhe i munguar në respekt ndaj trupës çlirimtare.
Statuset e vjetra u rikthyen në qendër të vëmendjes kur Murati mori detyrën e ministrit, duke shkaktuar një valë reagimesh. Më vonë, ai i kërkoi ndjesë publike veteranëve dhe familjeve të tyre: “Pranojnë që gjuha e përdorur atëherë ka qenë e gabuar… ju kërkoj ndjesë të gjithë luftëtarëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.”
Megjithatë, përzgjedhja e Muratit nga VV për kryetar Kuvendi ngre sipas kritikëve dyshime të forta në rrafshin politik dhe moral, duke lënë të nënkuptuar se partia përqendrohet më shumë në lojëra influencash sesa në ndërtimin e besimit institucional./lajmi.net/