Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka shprehur shqetësim të thellë për mënyrën se si është zhvilluar procesi i zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se ka vepruar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus politik.
Sipas Hazirit, partia fituese ka shfrytëzuar “ekskluzivitetin” për të përshpejtuar zgjedhjen e Dimal Bashës si kryeparlamentar, pa marrëveshje paraprake me grupet e tjera parlamentare dhe në kundërshtim me frymën e përfaqësimit të barabartë të komuniteteve. Ai shtoi: “Fillim jo i mbarë… duke vazhduar me shkelje kushtetuese tek ndarja e votimit për nënkryetar të komuniteteve pakicë.”, transmeton lajmi.net.
Haziri vuri në dukje se Vetëvendosje, së bashku me PDK-në dhe disa deputetë të tjerë, kanë bërë të mundur zgjedhjen e një figure që, sipas tij, ka qenë bashkautor në një punim që diskrediton luftën çlirimtare të UÇK-së.
“Zgjodhën për kryetar Kuvendi hiç më pak se bashkautorin e një punimi që e përbaltos UÇK-në… E rëndë shumë, me thënë të drejtën,” theksoi ai.
Në përmbyllje, Haziri shprehu qëndrim personal lidhur me mundësinë për reflektim dhe përmirësim: “Jam njëri nga ata që u jap mundësi të gjithëve që të dëshmohen… kur e kupton gabimin dhe kërkon falje e nuk e manipulon të vërtetën”./lajmi.net/