Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka reaguar përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale, duke komentuar zhvillimet e fundit politike dhe rolin e institucioneve në raport me njëra-tjetrën.
Haziri ka theksuar qartë se sovraniteti i Kuvendit nuk guxon të cenohet nga askush, duke u ndalur në mënyrë të veçantë te debati për Gjykatën Kushtetuese dhe qëndrimet e Presidentes Vjosa Osmani.
“Askush s’ka të drejt të ndërhyjë në sovranitetin e Kuvendit të Republikës. Ne jemi organi më i lartë kushtetues dhe ne zgjedhim Presidentë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Qeveri. Të tjerët duhet t’i subordinohen Kuvendit të Republikës, dhe jo e kundërta.”
Haziri kritikoi ashpër edhe sulmet që, sipas tij, i janë bërë Gjykatës Kushtetuese në prani të Presidentes, duke i cilësuar si të rrezikshme për sistemin kushtetues të vendit.
“Sulmi që i është adresuar Gjykatës Kushtetuese para presidentes ka qenë i paprecedentë sepse tash ka hapur hapësirë të tjerëve që t’i sulmojnë gjykatësit e tjerë me mbiemra të përveçëm, të cilët janë autoritete të zgjedhura nga Kuvendi i Republikës me procedurë të njëjtë, me mandat të njëjtë.”
Në fund të reagimit të tij, Haziri shpreh zhgënjimin për rolin e Presidentes Osmani, duke e akuzuar për dështim në përmbushjen e premtimit për të qenë gardiane e Kushtetutës.
“Unë vazhdoj me besu që presidentja Osmani në këtë rrugë politike ka qenë me duar të lidhura, pavarësisht se ka premtuar që ka me qenë gardiane e pakompromis të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.”
Postimin e tij ai e përmbylli me një mesazh të qartë institucional:
“Republika, mbi të gjithë!”./Lajmi.net/