Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka deklaruar se ka dyshime të bazuara mirë se gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban është bashkëpuntor i Agjencisë së Inteligjencës në Serbi dhe jo vetëm.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka deklaruar se gjyqtari Laban ka gjithashtu raporte të afërta me kriminelin e kërkuar nga autoritet kosovare, Radoiçic.
“Para ca ditësh kam shpërndarë letrën ku i isha drejtuar ish-presidentit Thaçi me kërkesën për mosdekretimin e Radomir Llaban si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale.
Radomir Llaban kishte kaluar provimin e noterisë, por informacionet që kisha pranuar nga AKI-ja ishin serioze, shqetësuese dhe të mjaftueshme për të refuzuar emërimin e tij.
Ky rast besohet të jetë momenti kur BIA e ka komprometuar dhe ia ka organizuar zhvendosjen në Kosovë,” tha Haxhiu.
Ndërsa ngriti alarmin se Serbia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të destabilizuar Kosovën dhe po përdor agjenturën për të shtrirë ndikimin edhe brenda institucioneve të Kosovës.
“Serbia historikisht ka përdorur dhe përdor edhe sot agjenturën për ta shtrirë ndikimin në çdo vend fqinj, e sidomos në Kosovë,” tha Haxhiu.