Haxhiu: Gjashtë muaj ministër, Hajrulla Çeku ka raportuar veç për tri ditë pune në total
Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kritikuar ministrin e Arsimit, Hajrulla Çeku, për, siç ka thënë ajo, mungesën e transparencës dhe angazhimit për sigurimin e librave shkollorë, në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Haxhiu, përmes një reagimi në Facebook, ka thënë se sot, më 21 gusht, kanë mbetur vetëm 10 ditë deri në fillimin e vitit shkollor, ndërsa prindërit kosovarë përballen me pasiguri dhe kaos rreth sigurimit të librave për fëmijët e tyre.
Ajo ka ngritur pikëpyetje edhe për aktivitetin publik të ministrit Çeku, duke pretenduar se, që nga marrja e detyrës më 18 shkurt, në profilin e tij zyrtar në Facebook janë publikuar vetëm tri postime që lidhen me dikasterin e Arsimit, më 21, 22 dhe 23 maj.
“Po ku është deputeti që luan rolin e Ministrit të Arsimit, Hajrulla Çeku?”, ka pyetur Haxhiu.
Sipas saj, përveç një urimi formal për 7 Marsin, në profilin e ministrit nuk ka pasur njoftime të mjaftueshme për punën e Ministrisë, vizita në shkolla, takime me mësimdhënës apo sqarime për problemet me tekstet shkollore.
Haxhiu ka kritikuar veçanërisht vonesën e aplikimit për subvencionimin e librave, i cili, sipas saj, është hapur vetëm më 27 korrik, duke e rënduar situatën pak ditë para fillimit të vitit shkollor.

Lexo edhe“Training Season” bëhet trend: Gratë po manifestojnë partnerin ideal me këngën e Dua Lipës
“Kur të gjitha shtetet e rajonit i ndajnë librat që në qershor, ministri ynë ‘i tri postimeve’ kujtohet në fund të verës, duke e futur tërë sistemin në kolaps”, ka deklaruar deputetja e Aleancës.
Ajo e ka cilësuar situatën si “injorancë dhe tallje të hapur me dinjitetin e prindërve dhe nxënësve”, duke kërkuar përgjegjësi nga ministri i Arsimit.
“A paguhet një ministër i Republikës për 6 muaj rresht që të ketë shenja jete vetëm 72 orë brenda gjithë kësaj periudhe?”, ka shkruar Haxhiu.
Në fund, deputetja e Aleancës ka akuzuar pushtetin për, siç është shprehur ajo, “përfitime maksimale për vete dhe heshtje totale për qytetarët”.














