Kuvendi i Republikës së Kosovës, ndonëse është institucion vendimmarrës dhe tejet i rëndësishëm për shtetin, vazhdon të mbetet i pakonstituuar dhe jofunksional.
Që nga 9 prilli kur edhe janë mbajtur zgjedhjet e fundit dhe është bërë i idtur rezultati i partive, partia e parë në vend, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur të bëj një marrëveshe politike me partitë e tjera.
Më 15 prill është mbajtur seanca e parë konstituive e cila nuk ka sjell rezultat, ashtu si edhe 55 të tjerat që janë mbajtur në vazhdim, deri më sot më 22 gusht të këtij viti.
Për dhjetëra seanca me radhë, kryesuesi i seancës sl Kuvendit, deputeti më i vjetër në moshë që vjen nga VV, Avni Dehari ka vënë në votim një komision për votim të fshehtë. Ky komision nuk është votuar asnjëherë nga partitë opozitare, pasi që të njëjtit e kanë parë si antikushtetues.
Sipas PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, ndërrimi i mënyrës së votimit në mes të seancave është antikushtetues.
Këtë e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushteutese e Republikës së Kosovës, përmes aktgjykimit të fundit ku thotë se Avni Dehari me këtë veprim e ka shkelur kushtetutën.
Në këtë aktgjykim, Gjykata Kushtetuese sqaron edhe një dilemë tjeter. Atë se sa herë ka të drejtë të propozohet i njëjti kandidat për kryetar të Kuvendit.
Sipas Gjykates Kushtetuese, një kandidat mund të propozohet vetëm tri herë, ndërkaq Kuvendi i Kosovës mund të konstituohet vetëm brenda 30 ditësh.
Në seancën e parë pas këtij vendimi, e cila u mbajt të mërkurën, Lëvizja Vetëvendosje shkoi me kandidaten e tyre që e kanë pasur që nga dita e parë, Albulena Haxhiun.
As kësaj radhe, Haxhiu nuk i mblodhi dot 61 vota, por vetëm 57 pro, 56 kundër dhe abstenim që erdhën nga deputetët e Nismës, me të cilët kryetari i VV-së provoi disa herë të bëj një marrëveshje.
Në radhën e dytë të votimit, VV propozoi ministren në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, deputeten e GUXO-s me të cilët kanë koalicion, Donika Gërvalla Schwarz e cila mori një votë më pak se Haxhiu. Ajo mori 56 vota pro, 56 kundër dhe një abstenim, ndërsa deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti Selimi nuk mori pjesë në votim.
Ajo pas seancës e ka sqaruar arsyen pse nuk ka marrë pjesë, duke thënë se ky vendim i saj ka ardhur pas akuzave e ofendimeve që Gërvalla ia kishte bërë bashkëshortit të saj Rexhep Selimit, disa vite më parë.
Pas Haxhiut e Gëvallës, VV propozoi ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati i cili pati fatin e kolegeve të tij, duke marrë vetëm 57 vota pro.
Ndonëse Gërvalla i bëri rezume të punës së Muratit kur e propozoi për kandidat për kryekuvendar, kjo nuk i mbushi mendjen opozitës.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se Murati ishte kandiat që VV e dinte se nuk i merr votat.
“Ata e sollën edhe njëherë një kandidat që e dinin që nuk i merr votat. PDK e kemi bërë të qartë që ne nuk e votojm askënd të kabinetit qeveritar, përfshirë edhe shefen e grupit parlamentar. VV i ka 35 kandidatë tjerë për t’i propozuar, ndoshta do të zgjidheshin.”, tha ai.
Deputeti i LDK-së, shkurtë e qartë tha se nuk e voton Muratin, duke thënë se votimi i tij kundër sot i kishte dhënë kënaqësi.
‘‘Asnjëherë nuk kam votuar kundër me më shumë kënaqësi sesa sot. Hekuran Murati, një njeri që ka bllokuar me qëllim buxhetin e Prishtinës ndër vite, që ka penguar ekonominë e vendit dhe i ka fryrë përçarjes politike, normalisht nuk mund të ketë votën time. Njerëzit me qasje të tillë duhet të largohen nga udhëheqja politike. Problemi i ecjes përpara në Kosovë është mendësia e prapambetur politike’’, ka shkruar ai.
Në lidhje me votimin kundër të opozitës, Gërvalla tha se kanë frikë nga Qeveria ‘Kurti 3’.