Anëtari i PDK-së, Bekim Haxhiu i ftuar në emisionin Gazeta, ka kritikuar ashpër mënyrën se si Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka trajtuar dy ankesat e parashtruara lidhur me procesin zgjedhor, duke vlerësuar se vendimmarrja e këtij institucioni bie ndesh me parimet themelore juridike dhe me të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Sipas Haxhiut, PZAP është fokusuar vetëm në aspektin formal të ankesave, pa u marrë me thelbin e tyre. Ai shprehet se një qasje e tillë mund të jetë ndikuar nga presioni i kohës për ta përmbyllur sa më shpejt procesin e ankimimit, por edhe nga ndikime të jashtme mbi panelin e ankesave.
“Vendimi dhe arsyetimi që PZAP ka dhënë për dy ankesat janë në kundërshtim me vetë parimet juridike dhe me parimin e të drejtës së garantuar në Kushtetutën e Kosovës,” ka deklaruar Haxhiu në Gazeta10.
Ai ka sqaruar se ankesa e parë lidhet me 23.232 pako me fletëvotime, të cilat sipas tij janë administruar dhe futur në procesin zgjedhor, ndonëse kanë arritur pas 5 afateve të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet. Haxhiu thekson se neni 96, pika 2 e këtij ligji e përcakton qartë afatin ligjor deri kur votat e ardhura me postë mund të pranohen.
Sipas tij, mosrespektimi i këtyre afateve ligjore dhe mosadresimi i thelbit të ankesave nga ana e PZAP cenon seriozisht integritetin e procesit zgjedhor dhe besimin e qytetarëve në institucionet zgjedhore.
Haxhiu ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të respektojnë në mënyrë strikte ligjin dhe Kushtetutën, duke garantuar trajtim të drejtë, të paanshëm dhe substancial të çdo ankese që lidhet me procesin zgjedhor.