Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur rreth darkës në shtëpinë e re të presidentit Hashim Thaçi në Prishtinë duke thënë se kanë zhvilluar një bisedë të dinjitetshme.
Haradinaj ka thënë se fillimisht kishte qenë një iniciativë nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama që të mbahet një takim i përbashkët në Tiranë, por kjo ndryshoi dhe u mbajt në Prishtinë.
Temat që u folën aty ishin taksa, dialogu, opsionet e zgjidhjes finale me Serbinë.
“Ka pasur një iniciativë prej kryeministrit Edi Rama për një takim të përbashkët. Në fillim ishte ideja që takimi të ndodhte në Tiranë por ndodhi në Prishtinë. Ka qenë një bisedë e kujdesshme. Janë të njëjtat tema që i dijmë: taksa, dialogu, opsionet e zgjidhjes finale. Këto kanë qenë bisedat por nuk ka pasur ndonjë ndryshim qëndrimesh”, tha Haradinaj në T7.
Gjatë darkës në shtëpinë e presidentit Hashim Thaçi i është kërkuar pezullimi i taksës 100 % nga Kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama.
“Kryeministri Rama kërkesa s’mundet me pas, pasi ai qeverisë me Shqipërinë, por mundet me pas qëndrim të vetin i cili është i respektueshëm. Kërkesa s’mundet me pas askush. Ai kishte mendimin e vetë që është mirë me u pezullu taksa”, tha Haradinaj, transmeton Gazeta Metro.