Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Kosova e Parlamenti po mbahen peng nga kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Duke komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për masë të përkohshme pas përfundimit të afatit 30-ditor, Haradinaj tha se është shenjë e mirë se do të ketë vendim pas dy javëve.
“Koha është e shkurtë, kjo masa e përkohshme është për dy javë. Na jep shpresë që pas dy jave do të ketë vendim të ri të gjykatës me një masë finale. Kjo ndoshta është e mira e kësaj. Për dy ditë kryhet afat, pra edhe nesër kemi afat. Mendoj që ky dy-javësh nuk është shenjë e keqe sepse nuk do të shkohet në pakufi pa një përgjigje.
Haradinaj tha se kjo periudhë mund të nënkuptojë se gjykatës i duhen kaq ditë për të nxjerrë një vendim.
Haradinaj s’dha shenjë se partia e tij do të ketë ndryshim qëndrimi në seancën e sotme, e cila mund të jetë e fundit brenda afatit kushtetues.
“Kemi ardhë me shpresë që do të kemi një lëvizje nga ata që po e mbajnë peng situatën, nga Kurti. Ne i kemi dhënë edhe ndihmë që t’ia japim votat pa asnjë kalkulim politik për një kandidat përbashkues dhe për të kthyer votimin e hapur. Është një situatë shumë e rëndë me zotëri Deharin. Ai po e menaxhon shumë keq seancën, është një lloj nervoze, nuk e di ka u buron ajo nervozë, ajo frikë se po ndodh ndonjë tragjedi nëse dikush e thotë një fjalë. Është një sjellje shume e habitshme. Gjithmonë ka tolerancë me thënë edhe një fjalë në Kuvend”.
“A jeni të gatshëm për zgjedhje?”, u pyet Haradinaj nga gazetarët.
“Ne s’mendojmë që duhet të favorizohen zgjedhjet pa i shteruar mundësitë për të krijuar institucionet. Nuk do të ishte në rregull të nxitohemi për zgjedhje sepse ato do të prodhojnë një rezultat, por ato mund ta në sjellin një situatë të ngjashme. Kuptohet që jemi të gatshëm për zgjedhjet, por ato duhet të jenë e fundit”.
“Një Kosovë e një Parlament jemi peng të Kurtit”, tha në fund Haradinaj, ndërsa përsëriti se Kurti e ka ndarë mendjen ta bëjë “keq e më keq”./Express/