

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se të gjitha institucionet janë duke punuar vazhdimisht për ta luftuar krimin dhe korrupsionin në Kosovë.
“Rendi dhe ligji është temë e ndjeshme, luftimi i korrupsionit është proces kompleks. Qeveria duhet që të mos përfshihet në korrupsion dhe duhet të ketë kujdes prej logjikës korruptive”, ka thënë Haradinaj në bashkëbisedimin e organizuar nga NDI në “Javën e Gruas”, të transmetuar në Info Magazine të Klan Kosovës.
“Secila Qeveri duhet ta ketë vetëdijen e ngritur që mos të ngatërrohet në këto procese korruptive, sepse kjo ndikon më pas tek të gjitha fushat, si te gjyqësori”.
“Ne po punojmë kundër krimit të organizuar – jo vetëm për liberalizim të vizave, por sepse kjo është jetike për qytetarët”.
Haradinaj ka bërë me dije se nesër do të mbahet takimi i radhës ku do të raportojnë Këshilli Gjyqësor dhe Gjykata Supreme për të arriturat në fushën e luftimit të korrupsionit.
“Çdo institucion është aktiv dhe jam thellë i bindur që Bashkimi Europian ka se çfarë të vlerësojë në këtë drejtim. Shpresoj që BE-ja nuk do ta bëj ndonjë lëshim, duke mos i dhënë vëmendje kësaj teme”.
“Detyra jonë e përbashkët është që t’i ndihmojmë BE-së që ta ruajnë vëmendjen tek kjo temë, sepse për ta mundet me qenë e parëndësishme, por për ne liberalizimi ka shumë rëndësi”.
“Për këtë çështje kam kërkuar ndihmë edhe nga Uashingtoni, që po ashtu t’ua kujtojë atyre se sa e rëndësishme është kjo temë për Kosovën”.



