Haradinaj: Lajm i mirë për ekonominë dhe prodhuesit në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së qeverisë ka mbajtur konferencë për media, në të cilën ka vlerësuar të rëndësishme miratimin e dy vendimeve nga Qeveria e Kosovës, njëri që e liron prodhuesin nga tatimi i akcizës për lëndën e parë që e përdor si burim energjie për prodhim dhe vendimi tjetër që e liron prodhuesin nga tatimi në doganë për lëndën e parë, gjysmë produkte që përdoren në proces të prodhimit, materiale përpunuese, makineritë prodhuese dhe pajisjet e teknologjisë së informacionit.
Këtë veprim kryeministri e cilësoi të guximshëm dhe lajm të mirë për Kosovën, për ekonominë dhe prodhuesin.
“Ky lajm i mirë vjen falë punës së jashtëzakonshme të ministrit të Financave, Bedri Hamza, të cilin e falënderoj për këtë punë, që iu është përgjigjur sipërmarrësve, prodhuesve, takime që i kemi mbajtur së bashku dhe bashkëpunimi me ta ka rezultuar tek këto të gjetura”, tha kryeministri Haradinaj.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj tha se vendimet e marrura sot janë lajm dhe porosi e fuqishme për sipërmarrësit dhe për prodhuesit, duke theksuar se edhe në takim me zëvendëspresidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë pajtuar që procedurat për financimin e autostradës së Dukagjinit, konkretisht pjesa e mbetur Kijevë-Zahaq, të përshpejtohet.
Lexo edheDrenas, këto fshatra do të mbesin pa rrymë gjatë ditëve në vijim
“Në fund të muajit nëntor do të kemi marrëveshje financiare të nënshkruar dhe me fillim të pranverës do të filloj ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, e cila do të përmbyllet vitin që vjen. Kemi hapësirë të veprojmë në auto-rrugën për Gjakovë nga Klina, dhe vitin që vjen do të fillojmë me projekt”, tha kryeministri, duke potencuar se krejt këto janë kalkulime të qëndrueshme dhe me efekte ekonomike.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se ky nuk do të jetë fundi i këtyre masave, por do të vazhdojmë në konsultim me komunitetin e biznesit, me asociacionet që e përfaqësojnë biznesin, shoqërinë civile, por edhe me idetë që vijnë nga opozita, të krijojmë një ambient të përshtatshëm për prodhuesit tanë, një ambient të përshtatshëm për tërheqjen e investimeve të huaja direkte, krejt kjo që ne t’i adresojmë sfidat kryesore të vendit tonë.














