Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim falënderues ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin ka biseduar për gjendjen politike në Kosovë dhe më gjerë.
Gjatë takimit kryeministri ka falënderuar ambasadorin Delawie për angazhimin dhe kontributin e tij të madh dhënë gjatë shërbimit të tij në Kosovë, duke thënë se Kosova dhe populli i saj janë mirënjohëse për mbështetjen e SHBA-së në të gjitha fushat, duke e ndihmuar vendin në proceset e rëndësishme politike, ekonomike dhe të sigurisë.
“Në shumë fusha Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar Kosovën duke përfshirë shtetndërtimin, zhvillimin ekonomik, arsimin, shëndetësinë, sistemin e drejtësisë, bujqësinë dhe për këtë u jemi mirënjohës popullit amerikan dhe SHBA-ve”, tha kryeministri Ramush Haradinaj, në takim me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie.
Kryeministri Haradinaj tha se partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të vazhdojë të thellohet, duke kërkuar mbështetjen e mëtutjeshme të shtetit mik për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.
Kryeministri Haradinaj në shenjë respekti për kontributin e tij dhënë gjatë misionit në Kosovë, ia ka dhuruar ambasadorit Delawie “Hartën e Artë të Kosovës”.
“Është nder që në emrin tim, të Qeverisë dhe të popullit të Republikës së Kosovës t’ua dorëzoj “Hartën e Artë të Kosovës”, të cilën kam kënaqësinë t’ua dhurojë për shërbimin tuaj në shtetin tonë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, falënderoi kryeministrin Haradinaj për bashkëpunimin, duke shprehur gatishmërinë e SHBA-së që të vazhdojë mbështetjen edhe më tutje për Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit.