Kryetari dhe kandidati për kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza, ka shpalosur zotimin e tretë të programit të tij qeverisës, i cili fokusohet në reformimin e sistemit shëndetësor dhe përmirësimin e qasjes së qytetarëve në shërbime mjekësore cilësore.
Në një konferencë për media, Hamza tha se gjatë takimeve me qytetarë në mbarë vendin ka dëgjuar shqetësime të shumta për gjendjen në sektorin e shëndetësisë, vonesat në marrjen e shërbimeve dhe kostot e larta të trajtimit, raporton lajmi.net
“Një pensionist pyet veten nëse do t’i blejë ilaçet me dozat e mjaftueshme apo do ta paguajë faturën e energjisë. Një prind pret me muaj për një termin specialistik. Një pacient detyrohet të kërkojë trajtim jashtë vendit, sepse nuk e gjen këtu. Kjo nuk është normale. Dhe kjo duhet të ndryshojë. Prandaj sot kam kënaqësinë të prezantoj zotimin tonë të tretë: Shëndetësi cilësore, me shërbime më të shpejta dhe të qasshme për të gjithë. Sepse shëndeti nuk është privilegj. Është e drejtë. Dhe sepse një shtet matet jo nga premtimet që bën, por nga kujdesi që tregon për qytetarët e tij kur ata kanë më së shumti nevojë”, tha Hamza.
Ai premtoi se një qeveri e udhëhequr nga PDK-ja do të vendosë në funksion sigurimet shëndetësore, do të garantojë furnizim të qëndrueshëm me barna esenciale dhe do të sigurojë barna falas për pacientët me sëmundje kronike.
Hamza gjithashtu njoftoi se në programin e tij parashihet themelimi i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, modernizimi i Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe ndërtimi i Spitalit Rajonal të Prishtinës.
“Do të zbatojmë Programin Kombëtar për Kancerin, me diagnostikim të hershëm, skrining dhe trajtim sipas standardeve evropiane. Do ta afrojmë shëndetësinë te qytetari përmes mjekësisë mobile, veçanërisht në zonat rurale dhe të largëta. Do të krijojmë qendra moderne rehabilitimi dhe kujdesi të specializuar për pacientët që kanë nevojë për trajtim afatgjatë. Do të themelojmë Qendrën Kombëtare për Trajtimin e Varësive, për të ndihmuar njerëzit dhe familjet që sot përballen me këtë problem. Do të mbështesim prodhimin vendor farmaceutik, për më shumë siguri në furnizim dhe më shumë vende pune. Do ta digjitalizojmë sistemin shëndetësor, me dosje elektronike, termine online dhe shërbime më të shpejta për qytetarët”, ka shtuar Hamza./Lajmi.net/