Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se nga 1 janari, tatimi në pronë do të rritet 200 për qind.Ai në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova” u shpreh se kjo do të bëhet barrë shtesë për bizneset.
“Ligji për tatimin në pronë hyn në fuqi në janar të vitit të ardhshëm, ka pasë me hy në fuqi në janar të vitit aktual, por për shkak se ka qenë vit zgjedhor, është prolonguar edhe për një vit. Kur të hyn në fuqi, sidomos për pronat komerciale, do të rritet tatimi në pronë për 200 për qind më shumë, nga 1 janari dhe kjo do të jetë një barrë shtesë për bizneset dhe po prishet klima e të bërit biznes”, tha ai.
Hamza tha se ka premtuar që ky ligj nuk do të amandamentohet dhe nuk do të hyjë në fuqi me këto norma.
“Kemi premtuar dhe i qëndroj kësaj që ky ligj do të amandamentohet dhe nuk do të hyjë në fuqi me këto norma të reja të cilat janë barrë për bizneset”, u shpreh Hamza.
Ai gjithashtu ka premtuar edhe rritje të pagave e pensioneve për 50%.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kritikuar propozimin e kandidatit të PDK-së për këtë post, Bedri Hamza, për uljen e tatimeve dhe rritjen e pagave.
E në Rubikon të Klan Kosova, kreu i PDK-së tha se i ka pëlqyer kritika e Kurtit, “por s’ia ka qëlluar”.
“Nuk ia ka qellu se, e para, nuk është i fushës dhe nuk e njeh ekonominë. E paçin në qafë ata që e kanë këshilluar. Më 2009 e kemi ulur tatimin në fitim të korporatave nga 20% në 10, e kemi ulur tatimin në të ardhura individuale, nga 20 në 10, dhe e kemi bërë përshkallëzimin e TVSh-së gjatë asaj kohe. Buxheti është rritur si rezultat i rritjes dhe zhvillimit ekonomik, do të thotë, ka ndodhur ulja e tatimeve, ka ndodhur rritja e buxhetit, dhe ka ndodhur rritja e pagave”, tha Hamza.
Ai shtoi se këto kanë ndodhur në janar të vitit 2009, kohë kur kreu i PDK-së ka qenë në Ministri të Financave.
Hamza theksoi se arsimtarëve u janë rritur pagat për 50% më 2011, dhe më 2014 sërish u janë rritur për nga 25%.
“Dhe në vitin 2011, janë vendimet publike, rritja e pagave për arsimtarët ka qenë 50%. Edhe s’ka qenë rritja e fundit gjatë atij mandati, edhe më 2014 ka qenë një rritje prej 25%. Pra nuk po flas vetëm në teori që ka ndodhur në vende tjera, por po flas edhe praktikisht që e kemi bërë. Dhe diçka që e kemi bërë, e bëjmë prapë”, deklaroi Hamza.



