BallinaLajmeLajmet e FunditHamas pranon të lirojë 10 pengje izraelite

Hamas pranon të lirojë 10 pengje izraelite

Zyrtarë të lartë të Hamasit kanë njoftuar të mërkurën se janë pajtuar të lirojnë 10 pengje izraelite, si pjesë e përpjekjeve për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës.

Por, sipas tyre, bisedimet mbesin “të vështira” për shkak të “kokëfortësisë së Izraelit”.

Në qendër të diskutimeve janë disa çështje kyçe: lejimi i ndihmave humanitare, tërheqja e forcave izraelite nga Gaza dhe sigurimi i një armëpushimi të përhershëm.

Hamasi e nisi luftën më 7 tetor 2023 me një sulm të përgjakshëm në Izrael, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Gjatë armëpushimeve të kaluara janë liruar shumica e pengjeve, ndërsa tani mbeten ende dhjetëra në robëri.

Në anën tjetër, ofensiva izraelite në Gazë ka lënë të vrarë mbi 57.000 palestinezë – më shumë se gjysma gra dhe fëmijë – sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi, raporton Reuters.

Kjo ministri nuk bën dallim mes civilëve dhe luftëtarëve, por shifrat e saj konsiderohen si më të besueshmet nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare për viktimat e luftës./Indeksonline/

- Advertisement -