BallinaRegjionaleMitrovicë e VeriutGruaja serbe u paraqit si zyrtare dhe provoi të pengonte mallrat e...

Gruaja serbe u paraqit si zyrtare dhe provoi të pengonte mallrat e Qeverisë, iku sapo u afrua Policia

Një grua serbe ka provuar të pengojë operacionin e Qeverisë së Kosovës për dërgimin e mallrave në veri të vendit, pas mbylljes së orkestruar të dyqaneve nga serbët.

Reporteri.net ka arritur të sigurojë pamje nga bisedat e gruas e cila u prezantua si zyrtare e Administratës Tatimore të Kosovës, me shofërët e kamionëve.

Burime nga Policia e Kosovës kanë treguar për Reporterin se ajo kishte provuar të pengonte operacionin e Qeverisë, duke iu kërkuar dokumentacione dhe duke iu thënë se “nuk guxojnë të shesin rrugëve”.

Sot ështe vërejtur në Lagjen e Boshnjakëve duke u prezantuar me një kartelë si punonjëse e Administratës Tatimore të Kosovës dhe duke folur në gjuhën serbe, ka kundërshtuar ashpër vendimin e Qeverisë së Kosovës, më saktësisht të Ministrisë së Tregtisë, për dërgimin e mallrave në veri. Ajo vetëm ka kërkuar nga shoferat e kamionave që të tregojnë dokumentacionin si dhe të deklarojnë se çka kanë në kamiona. Duke kontrolluar dokumentacionin, ajo ka akuzuar shoferat se nuk kanë të drejtë të shesin rrugëve dhe se duhet menjëherë të largohen nga aty”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, burimet tregojnë se ajo iku nga vendi sapo Policia nisi të intervenojë ndaj saj. Mësohet se ajo ishte frikësuar se mund të arrestohet.

Sidoqoftë, operacioni i Qeverisë në veri të vendit ka vazhduar, duke u dërguar mallra esenciale me kamionë, pas mbylljes së dyqaneve nga serbët e veriut me presion të Beogradit.

Edhe Haradinaj ka potencuar se operacioni për mallrat në veri do të vazhdojë si qëllim për të mbrojtur qytetarët e veriut, duke shtuar më pas se ky simulim i katastrofës është një tjetër përpjekje e dështuar e Serbisë për destabilizim të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës mbron qytetarët në veri, duke hapur pikat shitëse në bashkëpunim me bizneset kosovare. Simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim. Pas demaskimit të këtij skenari, të paralajmëruar kohë më parë, Qeveria e vendit, mbetet e përkushtuar për të ofruar siguri për gjithë qytetarët e saj, pa dallim!”, ka thënë sot Haradinaj.

Ndryshe, mëngjesin e sotëm dyqanet e serbëve të veriut qëndruan të mbyllura si pjesë e planit të Beogradit për të paraqitur “katastrofë humanitare”, që është reagim ndaj rezultateve të taksës që Qeveria e Kosovës ka vendosur që prej nëntorit të vitit të shkuar./Reporteri.net