Prokuroria në Prizren është deklaruar për ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmë në një familje, ku kryefamiljari their me thikë gruan dhe vajzën e tij të mitur.
Në lidhje me këtë rast, Prokuroria deklaroi se duke marrë parasysh trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe rëndësinë e mbrojtjes së viktimave në këto raste, informon opinionin publik se me datë 17.10.2025 rreth orës 00:20min pas mesnatës në rrugën “Rexhep Kabashi” në Prizren, policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje.
Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë – thikë. Viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në ardhjen e ekipit të emergjencës mjekësore.
“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë. Policia dhe njësia e teknikës kriminalistike kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda”,thuhet në njoftim, trasnmeton lajmi.net.
Tutje u tha se gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme.
Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Brenda afatit ligjor, për të njëjtin prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.
“Prokuroria Themelore në Prizren, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit”./Lajmi.net/