back to top
Sunday, September 14, 2025
BallinaLajme“Grenell i interesuar për një sukses Kosovë-Serbi, Trumpit i duhet për zgjedhje”

“Grenell i interesuar për një sukses Kosovë-Serbi, Trumpit i duhet për zgjedhje”

Të ngjajshme

Rusia provokon sërish, droni i saj hyn në një tjetër vend të NATO

Ministria rumune e Mbrojtjes deklaroi se hapësira ajrore e...

Sony prezanton Xperia 10 VII

Sony ka zbuluar zyrtarisht telefonin e saj më të...

Napoli e merr fitoren e tretë me radhë në Serie A, shkëlqejnë prurjet e reja

Rasmus Højlund shënoi në debutimin e tij pas transferimit...

Tayna shijon ditët e pushimit, tregon anën e saj të dashur

Tayna po shijon ditët e saj të pushimit, larg...

Kosova dhe Serbia nuk janë të përgatitura që në këtë kohë të bëjnë kompromise për arritjen e një marrëveshjeje në Shtëpinë e Bardhë, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvëndës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman.

Duke komentuar takimin e paralajmëruar për 2 shtator në Shtëpinë e Bardhë mes delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Countryman thotë se nuk mund të pritet shumë nga ky dialog dhe më e pakta që mund të arrihet është një nxitje që të dy liderët të angazhohen më shumë në dialogun e Brukselit.

Në këtë intervistë, ish-përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, tash drejtor i bordit të Asociacionit për Kontrollin e Armëve, Thomas Countryman, thotë se edhe nëse kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, do të bënte kompromise me Serbinë, ai e ka të vështirë të sigurojë miratimin e tyre në Kosovë, për shkak të rivaliteteve politike që aktualisht po ndodhin brenda Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se udhëheqësit e dy vendeve do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 2 shtator. Një takim i ngjashëm ishte paraparë të mbahej në muajin qershor, por u anulua për shkak të njoftimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë se ka paraqitur për shqyrtim një aktakuzë ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Si i komentoni këto zhvillime?

SHBA për takimin e 2 shtatorit: Përparimi ekonomik e çon përpara procesin paqësor

Thomas Countryman: Gjëja e parë që është e rëndësishme të kuptohet është që i vetmi prioritet për Shtëpinë e Bardhë këto ditë është rizgjedhja e presidentit (të Shteteve të Bashkuara, Donald) Trump. Ajo çfarë Shtëpia e Bardhë po synon, është një mundësi për një fotografi, ku presidenti do të mund të pretendonte një sukses të politikës së jashtme, pasi ai ka pasur zero suksese në politikën e jashtme në tre vite e gjysmë. Por, unë nuk shoh që (presidenti serb) Aleksandar Vuçiq dhe (kryeministri i Kosovës) Avdullah Hoti kanë vullnet dhe gatishmëri për të arritur një marrëveshje kuptimplotë në takimin e Shtëpisë së Bardhë.

Radio Evropa e Lirë: Por, ambasadori Grenell është emëruar në këtë pozitë në tetor të vitit 2019. Ai nuk ka qenë një vit elektoral. Bisedimet e ndërmjetësuara nga ai prodhuan disa marrëveshje mes dy vendeve. A mendoni se Shtetet e Bashkuara më shumë janë të interesuara që të zgjidhin përfundimisht çështjen mes Kosovës dhe Serbisë?

Thomas Countryman: Është një pyetje e vështirë kur thoni; a janë Shtetet e Bashkuara të interesuara? Presidenti Trump është i interesuar nëse kjo do t’i ndihmonte në fushatën zgjedhore. Pikë. Ndërsa mendoj se Grenell është i interesuar për një sukses. Ka pasur sukses të kufizuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Por, është një pyetje e hapur nëse Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin këtë si një interes që nuk është për përfitim të drejtpërdrejtë të Donald Trump.

Radio Evropa e Lirë: Bashkimi Evropian po e ndërmjetëson një proces dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se ekziston një rivalitet mes Uashingtonit dhe Brukselit që të mundësohet arritja e një marrëveshje paqeje mes Kosovës dhe Serbisë?

Thomas Countryman: Mendoj se nuk ka të bëjë me rivalitet, por qartazi me një mungesë bashkëpunimi midis BE-së dhe SHBA-së. Bashkimi Evropian udhëheq një proces më sistematik sesa ai i SHBA-së. BE-ja është e fokusuar në zgjidhjen e një spektri më të gjerë të çështjeve mes Kosovës dhe Serbisë, në vend të një deklarimi politik të udhëheqjes së dy qeverive. Qasja e SHBA-së është e ndryshme. Por, unë nuk mendoj se do të ketë çfarëdo suksesi, derisa SHBA-ja dhe BE-ja të bëhen bashkë në të njëjtën frekuencë.

Radio Evropa e Lirë: Ambasada amerikane në Serbi, tha se takimi i paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë do ta shtynte përpara dialogun e Brukselit dhe do të sillte më shumë stabilitet në rajon. A mendoni se ftesa për takim është bërë vetëm me qëllimin e mbështetjes së dialogut në Bruksel, apo ka diçka më shumë?

Thomas Countryman: Unë vërtetë shpresoj se Shtëpia e Bardhë do të nxisë të dy liderët të angazhohen në mënyrë më aktive dhe konkrete në dialogun e Brukselit. Kjo është më e pakta që një takim i tillë do të duhej të arrinte. Nuk mendoj se mund të prisni diçka më shumë se kjo nga ky takim.

- Advertisement -

Të Fundit

Sport

ShowBiz