Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, para dorëzimit të padisë në Gjykatën Themelore të Prishtinës kundër Dardan Molliqajt të PSD-së, ka thënë se ka ardhur për ta paditur “shpifësin Molliqaj”, për deklaratat e tij se kinse ka qenë punëtor i SHIK-ut.
“Është një shpifje e patolerueshme dhe ai duhet të japë llogari. Jo veç që po e demantoj, por po i bëj thirrje publikisht t’i bëjë publike çfarëdo prove që ka për këtë që ka thënë. Unë përveç deklaratës së tij, nuk kam çfarë t’i ofroj tjetër gjykatës. Mezi po pres të përballem me të në gjykatë. Jam i gatshëm t’i sjelli 1000 njerëz për ta mbrojtur të vërtetën e Dardani nuk mundet as edhe një të vetëm”, ka thënë Konjufca.
Kurse ditë më parë, Molliqaj në ditën kur pritej të votohej Ligji për Pagat dhe Buxheti i vitit 2019, e akuzoi Konjufcën se për një vit ishte pjesëtar i SHIK-ut.
“Një vjet ditë Glauk Konjufca ka qenë në SHIK, nuk e di a e dinë kolegët, unë e kam marr vesh dy javë pa dal prej Vetëvendosjes prej Glauk Konjufcës dhe pastaj ma kanë konfirmuar. Një vit ditë Glauk Konjufca ka qenë në Shërbimin Informativ të Kosovës. Ish kanë mirë më marrë guximin dhe me tregu, se kur ka qenë Glauku në SHIK, s’ka qenë në Vetëvendosje. Mirë është me tregu vet, por n’daç edhe unë po tregoj për tjerët që keni qenë në SHIK një nga një ”, kishte deklaruar Molliqaj.