Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Endrit Nika po akuzohet për vrasjen e shtetases argjentinase (të dashurës së tij) në Fushë-Kosovë, në cilësin e dëshmitarit u dëgjua M.Z., menaxheri i hotelit ku kishte qëndruar i akuzuari me të viktimën. Ai tha se në pamjet e kamerave i akuzuari dukej i hutuar dhe se dy herë ishte kthyer në dhomë.
Fillimisht, me kërkesë të dëshmitares E.L., kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gazmend Bahtiri pas marrjes së mendimit të palëve në procedurë si dhe këshillimin me trupin gjykues, mori aktvendim me të cilin e mbylli për publikun seancën deri në përfundim të dhënies së dëshmisë nga dëshmitarja E.L. Ndërsa, seanca vazhdoi e hapur për dëshmitarin M.Z, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në dëshminë e tij, dëshmitari M.Z., deklaroi se kishte pranuar një letër nga hetuesia me të cilën janë kërkuar pamjet e kamerave të hotelit ku ndodheshin i akuzuari Nika dhe viktima.
I pyetur nga prokurori Armend Hamiti lidhur me pjesën e video-incizimeve e cila mungon, për të cilat dëshmitari tha se është i sigurt se ua kishte dorëzuar hetuesve.
Ai deklaroi se fillimisht këto pamje i kishte dorëzuar tek dy hetues nga Policia dhe i kishte njoftuar se në rast se mungon ndonjë gjë mund t’i kërkonin brenda shtatë ditësh pasi që pas kësaj kohe, video-incizimet fshihen. Ndërsa, për mungesën e pamjeve ishte njoftuar në prokurori kur kishte dhënë deklaratë disa muaj më vonë.
“Edhe hetuesit i kam njoftuar se nese ka ndonjë mungesë, brenda 7 ditëve ju lutem më njoftoni dhe ju mund të vini edhe vetë t’i merrni nese është e nevojshme, sepse incizimet ruhen vetëm një javë”, tha dëshmitari.
I pyetur se ai si menaxher i hotelit a kishte njohur nese ndonjëherë kishte pasur telashe me dritaret e dhomave të hotelit, mirëpo këtë gjë dëshmitari M.Z., e mohoi pasi që dritarja e cila kishte rënë ishte statike dhe nuk hapej.
“Ajo që ka ra poshtë është statike, pra nuk hapet. Ajo ka ra kompelt me gjithë kornizë”, tha M.Z.
I pyetur se në çfarë gjendje shihej i akuzuari Nika në pamjet në të cilat mungojnë. M.Z., deklaroi se i akuzuari Nika dukej të ketë qenë i hutuar, ndërkohë që dy herë ishte kthyer në dhomë duke shtuar se nuk e mbante mend se a kishte zbritur poshtë me ashensor apo shkallëve.
“Endriti duket shumë i hutuar, nuk dijke çka me vepru, shihet si me ba lëvizje me kokë, a me shku poshtë a lartë, ajo lëvizje çka me vepru”, tha ai.
Në seancën e 28 majit 2025, i akuzuari u deklarua i pafajshëm.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohet se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.