Gjykata Administrative e Kosovës pjesëmarrëse në trajnimin ndërkombëtar të Procesit të Pragës

Gjykata Administrative e Kosovës po përfaqësohet për herë të parë në trajnimin ndërkombëtar të organizuar nga Akademia e Trajnimit e Procesit të Pragës.
Kjo me temën “Trajnimi për azilin dhe ligjin për mbrojtjen ndërkombëtare për gjyqësorin”.
Në këtë aktivitet po marrin pjesë kryetari i Gjykatës Administrative të Kosovës, Kreshnik Kaçiu dhe gjyqtari Vegim Maloku, udhëheqës i Departamentit të Përgjithshëm në këtë gjykatë.
Gjatë punimeve të trajnimit, kryetari Kaçiu i njoftoi pjesëmarrësit për themelimin dhe funksionalizimin e Gjykatës Administrative të Kosovës, si dhe për objektivat dhe synimet e saj për të ardhmen.

Lexo edheMund të dëgjohen shpërthime dhe zhurma ushtarake në Harilaq, FSK-ja paralajmëron ushtrimet për këto data
Po ashtu, Kaçiu falënderoi organizatorët për ftesën dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet gjykatave të vendeve të rajonit, përmes shkëmbimit të përvojave dhe praktikave më të mira, me qëllim të rritjes së profesionalizmit dhe efikasitetit në trajtimin e rasteve gjyqësore.

Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Gjykatës Administrative të Kosovës në këtë trajnim shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të kapaciteteve profesionale, avancimit të praktikave gjyqësore dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar.
Procesi i Pragës (Prague Process) është një mekanizëm rajonal bashkëpunimi ndërmjet shteteve në fushën e migracionit, azilit dhe mbrojtjes ndërkombëtare. Ai është themeluar në vitin 2009 dhe përfshinë shtete të Bashkimit Evropian, Ballkanit Perëndimor, Evropës Lindore, Azisë Qendrore dhe rajoneve të tjera partnere.














