Drenasi njëqind përqind në sistemin e menaxhimit të mbeturinave. Drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, znj. Lumnije Krapi në kuadër të projektit për shtrirjen e shërbimit të menaxhimit të mbeturinave, mori pjesë në shpërndarjen e kontenierve 110 L, në Likoshan dhe Gradicë që ishin dy fshatrat e fundit për të hyrë në sistemin e menaxhimit te mbeturinave.
Komuna e Drenasit në bashkëpunim me GIZ-in dhe Kompaninë “Pastrimi” ka arritur që tërë territorin e Komunës t’a shtrijë në sistemin e menaxhimit të mbeturinave, meqë ka qenë synim në Planin Komunal të Menaxhimit të Mbeturinave.
Ky projekt ka filluar në vitin 2014, fillimisht kanë qenë vetëm 9 vendbanime të komunës, duke vazhduar edhe vite të tjera, ku këtë vit me një angazhim të përbashkët përmbyllim sistemin e shtrirjes në të gjitha vendbanimet. Në këtë sistem kemi gjithsej 6084 ekonomi familjare dhe biznese ndërsa inkasimi mbi 70%.
Synimi ynë është që të shtrihet shërbimi në çdo familje dhe institucion si dhe të bëhet eliminimi i deponive ilegale. Komuna e Drenasit është në garë për mjedis të pastër andaj për këtë duhet të plotësohen disa kritere, si: Shkalla e mbulueshmërisë në sistemin e shërbimit; shkalla e inkasimit; dhe heqja e deponive.
Dy kriteret e para janë të plotësuara ndërsa kriteri i tretë është duke u implementuar, prandaj kërkojmë nga qytetarët që të na mbështesin në këtë drejtim, thuhet në një njoftim të Komunës së Drenasit të cilin e transmeton drenicapress.info

