Në fshatin Cërnicë të Gjilanit, është njollosur muri ku ditë më parë është vendosur pllaka “Shtëpia bazë e UÇK-së”.
Ky akt vandal për Shoqatën e Veteranëve të Luftës të UÇK-së në Gjilan, është një qyqarllëk dhe mjerim që nuk njeh kufij. Shaqir Shaqiri, zëdhënës i OVLUÇK-së, duke e përcjellë reagimin e kësaj organizate, ka thënë se asnjëherë nuk ka pushuar se vepruari dora e stërzgjatur e UDB-ashëve, nëpërmjet së cilës është shtypur me dhunë çdo proces i nisur kombëtar“OVL e UÇK-së, Dega në Gjilan, në koordinim me ish-komandantin e ish-ZOK të UÇK-së, Ahmet Isufi-komandant Rexha dhe ish zëvendëskomandantin, Shemsi Syla-komandant Shaqa, kanë marrë vendim që me rastin e përvjetorit të Betejës së Zhegocit, të vihen pllaka në shtëpitë e evidentuara si baza të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke i shënuar si ‘Shtëpia-bazë e UÇK-së’. Por një akt i tillë, ashtu sikurse edhe vet UÇK-ja dhe lufta e saj e lavdishme, nuk u mirëpritën nga të gjithë. Ata që nuk e mirëpritën, sigurisht se u vunë ne veprim”, ka thënë Shaqiri, raporton portali “2lonline”.
Sipas tij, aktin vandal të mbrëmjes së kaluar, e bërë njerëz me mentalitet të ulët.
“Ne jemi të bindur se prapa këtij akti qyqar fshihet dora e një mentaliteti të ulët, të pacipë dhe hakmarrës, i cili tenton të fshihet prapa ‘kryqit me katër S’. Po ashtu jemi të vetëdijshëm se vërja në sfond e kryqit me katër S, nuk do të thotë ekzaktësisht se ky veprim është bërë nga dora serbe. Si do qoftë, ne e dënojmë fuqishëm një akt i tillë qyqar, dhe kërkojmë nga policia e Kosovës që autorët e kësaj vepre të nxirren para drejtësisë”, ka deklaruar Shaqiri.
Ai ka thënë se falë luftës se pastër të UÇK-së dhe gjakut të derdhur të dëshmorëve të saj, Kosova ka arritur ta ketë mbështetjen e demokracisë perëndimore. “Prandaj, organizimi, formimi dhe lufta e shenjtë e UÇK-së i mbeten madhërishëm historisë. Historia nuk zhbëhet dot dhe nuk tjetërsohet, përpjekjet e tilla qyqare janë të kota”, është shprehur ai.
- Advertisement -