Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, tha të shtunën se kërcënimi nga dronët është “i lartë” dhe se vendi do të ndërmarrë masa për t’u mbrojtur.
Zyrtarët në Evropë kanë qenë në gatishmëri të lartë pas depërtimeve të dronëve në Danimarkë, që kanë bllokuar disa herë trafikun ajror në pjesë të ndryshme të vendit gjatë javës së kaluar. Autoritetet po ashtu po hetojnë raportimet për shfaqje të dronëve edhe në Gjermani.
“Ka një kërcënim që mund të klasifikohet si i lartë kur bëhet fjalë për dronët. Është një kërcënim abstrakt, por shumë konkret në raste të caktuara,” tha Dobrindt për gazetarët në Berlin, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Mes masave, Gjermania do të shqyrtojë ndryshimin e një ligji të sigurisë ajrore për t’i lejuar forcat e armatosura të përfshihen në rast se është e nevojshme të rrëzojnë dronë, shtoi ai.
“Bëhet fjalë për të qenë të përgatitur që, për shembull, infrastruktura kritike ose tubimet e mëdha të njerëzve të mund të mbrohen,” tha ministri.