Kina ka shprehur “shqetësim serioz” për planin e Izraelit për të marrë nën kontroll qytetin e Gazës, duke i bërë thirrje Izraelit që “të ndalojë menjëherë veprimet e rrezikshme”.
Një zëdhënës i ministrisë së jashtme kineze duke folur për AFP-në ka thënë se “Gaza i përket popullit palestinez dhe është një pjesë e pandashme e territorit palestinez.”
Ai ka shtuar se “mënyra e duhur për të zbutur krizën humanitare në Gaza dhe për të siguruar lirimin e pengjeve është një armëpushim i menjëhershëm.”
Bëhet e ditur se zëdhënësi gjithashtu ka thënë se: “Një zgjidhje e plotë e konfliktit në Gaza varet nga një armëpushim; vetëm atëherë mund të hapet rruga për uljen e tensioneve dhe sigurimin e sigurisë rajonale.”
Beijing-u poashtu ka theksuar se është “i gatshëm të punojë së bashku me komunitetin ndërkombëtar për të ndihmuar në ndalimin sa më të shpejtë të luftës në Gaza.”
Kujtojmë se kabineti izraelit i sigurisë miratoi planin për të marrë kontrollin ushtarak të Gazës, duke nisur një ofensivë tokësore deri më 7 tetor, përkujtim i dyvjetorit të sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.
Në plan, përfshihet çarmatimi i Hamasit, kthimi i të gjithë pengjeve (të gjallë e të vdekur), demilitarizimi i Rripit të Gazës, kontroll i sigurisë nga Izraeli pas luftës dhe formimi i një administrate civile që nuk lidhet me Hamasin ose Autoritetin Palestinez.
Lideri izraelit Benyamin Netanyahu ka theksuar se Izraeli nuk synon qeverisje të përhershme të Gazës, por qartësi në siguri dhe dorëzim të kontrollit te forcat arabe, pa specifikuar se për cilat shtete bëhet fjalë.