Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gani Geci tha se Kuvendi i fundit i kësaj partie dëshmoi dëshminin e “projektit të Isa Mustafës”.
Geci shkroi në Facebook se Mustafa, së bashku me figura si Agim Veliu, synonin ta “eliminonin politikisht Lumir Abdixhikun”, i cili u konfirmua të shtunën në krye të partisë më të vjetër në vend.
“Përmes votimit të fshehtë, delegatët refuzuan qartë skenarin e atyre që synonin ta shndërronin LDK-në në një shtojcë politike të PDK-së dhe në një instrument të ndikimit të SHIK-ut. Ky ishte një akt politik i vetëdijshëm dhe një mesazh i fortë se baza e LDK-së nuk pranon më projekte të imponuara nga prapaskenat”, shkroi ndër tjerash ish-deputeti.
Shkrimi i plotë i Gani Gecit, i publikuar në Facebook:
Dështimi i projektit të Isa Mustafës në LDK
Pas Kuvendit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u rrëzua përfundimisht një nga narracionet më të përhapura në pesë vitet e fundit: se Lumir Abdixhiku ishte “njeri i Isa Mustafës”. Ky pretendim, i ushqyer dhe i ricikluar nga qarqe të caktuara politike e mediatike, sot po del qartë se ishte propagandë e stilit SHIK – një konstrukt artificial i ndërtuar për ta dobësuar LDK-në dhe për ta shtyrë atë drejt margjinave politike.
Është e lehtë për t’u kuptuar se cilët gazetarë dhe cilat media i jepnin zjarr forcimit të njerëzve të Isa Mustafës; kjo tashmë kuptohet qartë nga të gjithë.
Në fakt, projekti i Isa Mustafës dhe rrethit të tij, ku bënin pjesë Agim Veliu dhe disa figura të tjera, kishte për synim ta eliminonte politikisht Lumir Abdixhikun. Ky projekt nuk ishte i ri në metodë.
Ai ndjek të njëjtën logjikë me skemat e mëhershme të SHIK-ut: kundër Nexhat Dacit dhe vëllezërve Geci në vitin 2006, e më pas edhe kundër vetë Fatmir Sejdiut, i cili ra në grackën e SHIK-ut në Kuvendin VI, e më vonë u ushqye edhe kundër Donika Gërvallës dhe pastaj kundër Vjosa Osmanit.
Ndryshonin emrat, por mekanizmi mbetej i njëjtë: delegjitimim, përçarje dhe dorëzim gradual i një pjese të LDK-së te SHIK-u dhe i pjesës tjetër te pjella e SHIK-ut me emrin LVV.
Kuvendi i fundit i LDK-së e nxori këtë projekt jashtë loje.
Përmes votimit të fshehtë, delegatët refuzuan qartë skenarin e atyre që synonin ta shndërronin LDK-në në një shtojcë politike të PDK-së dhe në një instrument të ndikimit të SHIK-ut. Ky ishte një akt politik i vetëdijshëm dhe një mesazh i fortë se baza e LDK-së nuk pranon më projekte të imponuara nga prapaskenat.
Ftoj njerëzit nacionalistë kosovarë të largohen nga politikat e majta dhe të kthehen te programi i djathtë i LDK-së, si vazhdimësi e rrugës së djathtë të Presidentit Rugova.
Mos u dorëzoni, o ju të djathtë: kryetarët shkojnë e vijnë, por LDK-ja e Presidentit Rugova do të mbetet përgjithmonë.
Mjafton t’i dëgjojmë opinionet e Ramabajes si përfaqësues i LVV-së dhe të Haradinajt si përfaqësues i PDK-së, të ulur në të njëjtën anë të studios televizive, ndërsa Besa Gaxherri në anën tjetër, për të kuptuar se si me ngulm majtistët kërkojnë të shtrembërohet historia dhe që LDK-ja të shuhet e të mbetet vetëm histori e së kaluarës.
Narracionin e Ramabajes e çojnë përpara “guximtarët” e rremë, ndërsa narracionin e Haradinajt e çojnë përpara njerëzit e Isa Mustafës.
Rezultati i Kuvendit dëshmon se LDK-ja, pavarësisht plagëve të thella nga e kaluara, ende ka instinkt vetëmbrojtës.
Lumir Abdixhiku iu tha: “Bëjeni me vota të fshehta, bëjeni pyetjen si të keni qejf ju, dhe unë do ta pranoj rezultatin.” Delegatët zgjodhën autonominë politike dhe refuzuan rikthimin në ciklin e vjetër të nënshtrimit dhe sabotimit të brendshëm. Në këtë kuptim, Kuvendi nuk ishte thjesht një proces statutor, por një referendum i brendshëm kundër një projekti që kishte dështuar qysh në nisje.
Narracionet bien, por faktet mbesin. Dhe fakti kryesor sot është ky: projekti i Isa Mustafës në LDK ka marrë fund. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse LDK-ja do ta shfrytëzojë këtë moment për rindërtim real politik, apo nëse do të lejojë që versionet e reja të të njëjtit projekt të rikthehen nën emra të tjerë.
Propozoj që Kuvendi i ardhshëm i LDK-së, me vota, t’ia marrë titullin kryetar nderi Isa Mustafës.