Milan Radojiçiq është kthyer në armë për sulmet mes dy liderëve kosovarë, Hashim Thaçit e Ramush Haradinajt. Të dy përplasen publikisht se kush e ka mik, e kush është takuar me njeriun që kërkohet nga drejtësia kosovare për lidhjet në vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Prokuroria Speciale planifikon të kërkojë urdhërarrest ndërkombëtar për më të fuqishmin e Veriut, ndërkaq Radojciq nga Serbia flet për lidhjet me Thacin e Haradinaj. Por, Radojçiq po mbrohet nga Vuçiq e nga Serbia. Ai para dy ditësh arriti të marrë një post në Kosovë, duke u bërë kryetar i Federatës paralele të Futbollit.
Në vizitën e parë si zyrtar, tashmë jo si një mit, në zyrën e Kryeministrit Haradinaj, kishte dhënë shenjë për fuqinë që ai e ka, shkruan Gazeta Express.
Radojciq shkoi mysafir në zyrën e Haradinajt si nënkryetar i Listës Srpska, ndërsa Haradinaj e kishte dhënë rëndësi aq sa ta ulte para kryetarit të partisë, Goran Rakiq.
Lidhjet e Haradinajt me Milan Radojciqin, që konsiderohet si njeriu më i fuqishëm në Veri të Mitrovicës, ishin bërë publike pak më herët kur Shefi i Qeverisë kishte dalë në një nga lokalet me atë që po konsiderohej shefi i nëntokës në Veri.
Radojciq është rritur në Gjakovë dhe gjuhën shqipe e ka të rrjedhshme. Mediat serbe shkruajnë se ai është vendosur në Veri të Mitrovicës, falë lidhjeve me biznesmenin Zvonko Veselinoviq.
Raportet e tij me liderët kosovarë të nënkryetarit janë përmendur së fundmi, e sidomos gjatë përplasjeve mes Thacit e Haradinajt.
Haradinaj thotë se ‘ka punuar me Radojciqin’, pa dhënë detaje se cfarë pune mund ta ketë lidhur me të.
Në konferencën për media ai dje tha se e ka lidhur puna si nënkryetar i Listës Srpska, post ky që Radojiçiq zyrtarisht e ka marrë para më pak se një viti.
Ndërkaq, Presidenti Thaci përdorë Radojciqin si armë për të diskredituar Haradinajn sa herë që ai flet kundër ndarjes. Thaci duke aluduar në Haradinajn foli para pak ditëve për “miqtë e Radojciqit”
“Për ndarje të Kosovës dhe ekzagjerime të temave të tilla, dhe ata që flasin sot janë ata që kanë ndihmuar Millosheviqin, dhe janë miqtë e Radojciqit, që i kam dëbuar nga Kosova”, ka thënë Thaçi i tensionuar në Tiranë.
Kryeministri iu kundërpërgjigj kësaj duke thënë se nuk e ka shprehi t’i zgjatë dikujt dorën, e ta fsheh këtë”, duke treguar se Thaci është takuar me Radojiçiqin në zyrën e tij dhe u ka zgjatur takimi dy orë.
Radojciq, i kërkuar që nga nëntori nën dyshimet për lidhjet në vrasjen e Oliver Ivanoviqit, është në arrati. Ai është lajmëruar disa herë nga Beogradi, ndërsa dje ka folur për lidhjet e tij me dy liderët kosovarë.
Nën përkrahjen e madhe që Radojciq ka nga presidenti Aleksander Vuciq, publikisht ka folur për takimet me Thacin e Haradinajn, por që të dy i ka fajësuar se nuk
“Kështu do të them unë. Jam takuar me të dytë. Kam takuar edhe të tjerë, dhe secili prej tyre u ka premtuar serbëve kulla e qytete që të jenë në anën e tyre dhe jo me të tjerët. Por, ne nuk mund të shkelemi mbi interesat jetësore të serbëve”, ka thënë Radojiçiq për Klan Kosovën.
Përgjatë kohës kur ishte lëshuar urdhërarrest për të, Radojiçiq nuk i ndalonte aktivitetet kulturore e sportive në Kosovë. Nuk dihet nëse ai ka hyrë brenda, mirëpo janë organizuar disa aktivitete nën patronatin e tij.
Prokurori Special Sylë Hoxha ka thënë për Gazetën Express se akoma nuk kanë lëshuar urdhërarrest dhe po marrin udhëzime nga Policia për procedurat e lëshimit të urdhërarrestit ndërkombëtar.
“Ende nuk kemi bërë kërkesë për urdhërarrest ndërkombëtar për Radojiçiqin. Kemi bërë kërkesë në Policinë e Kosovës që të na udhëzojë për procedurat për kërkesë të urdhërarrestit ndërkombëtar. Por, kjo cështje merr pak kohë. Në si prokurori që merremi me rastin gjithsesi se do të bëjmë kërkesë”, ka thënë prokurori Hoxha
Eksperti i Sigurisë, Nuredin Ibishi, thotë për Gazetën Express se është pothuajse e pamundur të ketë sukses ekstradimi i personit që gjendet në Serbi, pasi që shteti serb nuk pranon të bashkëpunojë me Kosovën.
Sipas Ibishit, meqenëse Kosova nuk është anëtare e INTERPOL’it, atëherë i duhet gjithsesi të ketë bashkëpunim me vendin ku mund të jetë një i dyshuari, e që në rastin e Radojiçiq është Serbia.
“Është e mundshme por vetë procesimi i një urdhërarresti shkon në një rrugë më të gjatë Ne pasi që nuk jemi anëtarë të Interpolit, Serbia mund të mos e respektojë këtë, dhe cështja e ekstradimit është më e lehtë kur kemi raporte me një shtet që kemi marrëdhënie bilaterale” , ka thënë
Në një operacion të kryer në nëntor të 2018’ës, njësiti special i Policisë së Kosovës ka bastisur disa shtëpi në Veri, ku ka arrestuar tre të dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit. Nuk kishin arritur ta kapnin Milan Radojciqin, pasi kishte ikur nga veriu.
Pak më vonë u lajmërua nga Beogradi, ku herë pas herë takohet me zyrtarë të lartë të shtetit serb, përshirë edhe presidentin Vuciq. Shefi i shtetit serb gjatë fundjavës e mbrojti publikisht bashkëkombësin e tij duke thënë se në momentin kur është vrarë Ivanonoviq, Radojçiq ka qenë 500 kilometra larg vendit të krimit. Për të jeta në Serbi po vazhdon të jetë e qetë – dy ditë më parë nga atje Radojciq me lehtësi u zgjodh në krye të Federatës serbe të futbollit në Kosovë. /Express/