Tyson Furyt nuk i ka lënë aspak mbresa dueli i të shtunës mbrëma ndërmjet Anthony Joshuas dhe Joseph Parkerit, ndërsa teksa e komentonte drejtpërdrejtë ndeshjen, ai vazhdonte të thoshte se nuk ishte një përballje si u ka hije kampionëve botërorë në kategoritë e peshave të rënda.
Boksieri nga Zelanda e Re u bë i pari që i bëri ballë për 12 raunde boksierit britanik, i cili në fund fitoi me pikë dhe u bë kampion i unifikuar duke rrëmbyer edhe titullin WBO, krahas atyre që i posedonte (WBA, IBF dhe IBO).
(Foto: Getty Images)
Dhe menjëherë pas meçit u rikthye kryetema në sportin e boksit që qarkullon tash e disa muaj – dueli i shumëpritur ndërmjet Joshuas dhe Deontay Wilderit (kampionit në kategorinë WBC).
Natyrisht që më pas kanë vazhduar ngacmimet dhe provokimet përmes mediave dhe rrjeteve sociale dhe tash një meç midis tyre duket shumë i mundur.
(Foto: Getty Images)
Në ndërkohë, njëri nga boksierët që pret një duel me Joshuan është edhe ish-kampioni i unifikuar, Tyson Fury. Ai e ka këshilluar britanikun që të mos ndeshet me Wilderin, sepse sipas tij, amerikani do ta nokautojë.
“AJ të lutem mos u ndesh me Wilderin, sepse do të të nokautojë dhe do të mi marrë 50 milionë funtet e mia. Lejomë mua të të thyej, ti vocërrak i neveritshëm”, ka thënë Fury në një video të publikuar në rrjetet sociale. /Telegrafi/




