Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh ndaj të pandehurve E.A., dhe R.S , të cilët që nga data 28 tetor janë ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale dhe “Pengimi i të provuarit apo procedurës zyrtare”.
Sipas Prokurorisë i pandehuri i parë, E. A pronar i një marketi në fshatin Doganaj ka ndihmuar të pandehurit në shmangien e zbulimit të veprës penale të pjesëmarrjes në rrahje, e për të pandehurin e dytë, R.S se e ka nxitur të pandehurin e parë që t’i fshinte incizimet nga kamerat e sigurisë.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri E.A., më 21 korrik 2025, në intervalin kohor 00:20-01:00, në fshatin Doganaj, ka ndihmuar të pandehurit A.S., dhe L.V., në shmangien e zbulimit të veprës penale vrasje në tentativë dhe të pandehurit L.K., Sh.L., dhe B.A., në shmangien e zbulimit të veprës penale pjesëmarrja në rrahje në atë mënyrë që pas konfliktit që ka ndodhur në mes të pandehurve ku janë përdorur edhe armët e zjarrit dhe kanë mbetur të lënduar rëndë të pandehurit A.S., dhe L.V., i pandehuri si menaxher i marketit, i cili gjendet në fshatin Doganaj, ka fshirë video incizimet nga kamerat e sigurisë për periudhën kohore kur ka ndodhur takimi i të pandehurve para marketit, me qëllim që të shmang zbulimin e veprës penale”, thuhet në njoftim.
Tutje Gjykata në kërkesën për paraburgim thotë se “për të pandehurin R.S., ekziston dyshimi i bazuar se me datë 27 korrik 2025, në fshatin Doganaj, si pronar i objektit, e ka nxitur të pandehurin E.A.,që të fshijë video incizimet nga kamerat e sigurisë për datën 21 Korrik 2025, për periudhën kohore 00:20 deri 01:00, e cila kamerë ka qenë e vendosur në objektin përballë parkingut, me qëllim që të pamundësohet shfrytëzimi i tyre në procedurën penale kundër të pandehurve A.S., L.V., L.K., Sh.L., dhe B.A.., të cilët kanë marrë pjesë në rrahje, në të cilën rrahje janë përdorur edhe armët e zjarrit dhe kanë pësuar lëndime të rënda trupore dy të pandehurit A.S., dhe L.V.”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj.