Shprehja “të mos lësh asnjë gur pa kthyer” ka marrë kuptim të ri për paleontologët në Muzeun e Natyrës dhe Shkencës në Denver të SHBA-së, të cilët zbuluan një fosil të veçantë të fshehur pikërisht para syve të tyre – nën parkingun e muzeut.
Kocka e dinosaurit u zbulua në janar gjatë një projekti shpimi për t’i studiuar shtresat e shkëmbit nën vendin e muzeut, njoftoi muzeu më 9 korrik. Ekipi kishte planifikuar të nxirrte një mostër cilindrike nga thellësia e tokës, dhe hasën në një fosil të pjesshëm.
Me një diametër rreth 2.5 inç (6.4 centimetra) – po aq sa gjerësia e mostrës së shkëmbit të nxjerrë – ekzemplari në formë disku është një rruazë shpine e një dinosaur barngrënës që ka jetuar në atë rajon më shumë se 67 milionë vjet më parë. Në një thellësi prej rreth 760 këmbësh (230 metra) nën sipërfaqe, ky është fosili më i vjetër dhe më i thellë që është zbuluar ndonjëherë brenda Denverit, sipas njoftimit të muzeut.
Nuk ka mjaftueshëm material nga fosili për ta përcaktuar llojin e tij, por ky zbulim i rrallë ndihmon në përshkrimin e ekosistemit gjatë periudhës Kretake në atë që sot është Denveri, tha Dr. James Hagadorn, kuratori i gjeologjisë në muze. Shkencëtarët arritën ta kufizojnë fosilin në një grup barngrënësish dykëmbësh të njohur si ornitopodë, dhe ky është ornitopodi i parë i zbuluar brenda kufijve të Denverit.
“E dinim që ata dinosaurë ndodheshin (diku tjetër në) Colorado apo Wyoming, por nuk dinim që ishin edhe në Denver… megjithatë e dyshonim në këtë periudhë kohore”, tha Hagadorn. “Tani kemi një tjetër barngrënës që ka shëtitur përreth Denverit duke ngrënë, kush e di, xhinxherë, gjethe palmash, ferna dhe bimë të tjera 67 milionë vjet më parë”.
