Agon Dushullofci, i arrestuar gjatë punimeve të asfaltimit në rrugën ‘A’ të hënën, tha për Ekonomia Online se arrestimi i tij ndodhi ndërsa kërkonte të ndalej puna në tokën e familjes së tij, për të cilën, sipas tij, nuk ishte dhënë pëlqimi i nevojshëm nga komuna.
Ai tha se procesi u krye në mënyrë të dhunshme dhe se gjithçka lidhej me një çështje pronësie që ka kaluar edhe në gjykatat e Kosovës.
Ndërhyrja e policisë përfundoi me arrestimin e tij dhe, sipas tij, me përdorimin e dhunës gjatë transportit në stacion, ku u detyrua të ngrinte duart lart për të shmangur lëndimet. Ai tha gjithashtu se ka plagë në trup nga ndërhyrja e policisë.
“Në mëngjes erdhën policia, rreth orës 07:45, së bashku me punëtorët e rrugës si dhe disa persona të tjerë që nuk ishin prezentë. Polici që mori detyrën për këtë çështje foli me mua dhe tha se kemi një vendim të Gjykatës së Apelit. I thashë për çfarë vendimi bëhej fjalë, por më tregoi vendimin pa e sqaruar përmbajtjen. Tha se lejohen punimet. I thashë se nuk ka asnjë vendim, se unë jam pronar i kësaj toke dhe nuk jap pëlqimin. Përderisa nuk e jap pëlqimin, Komuna nuk ka të drejtë të punojë. Ata filluan punën, unë u përpoqa t’i ndaloj dhe ndodhi arrestimi, duke u përdorur dhunë edhe gjatë transportit në veturën e policisë, ku më futën duart me forcë në fyt. Pasi mbërrita në stacion, më detyruan të ngrija duart lart duke kërcënuar se do të më shkaktonin lëndime. Kam plagë në trup”, tha ai.
Pronari shtoi se qëllimi i tij nuk është kundër rrugës, por respektimi i ligjshmërisë. Ai tha se një falsifikator po mbrohet nga Komuna dhe se ndërkohë me të tjerët bëhen marrëveshje pa marrë parasysh pronën e tij. Sipas tij, Gjykata Supreme në vitin 2016 kishte vendosur që palët ndërgjyqësore duhet të japin pëlqimin e dyanshëm në çdo çështje të pronësisë.
“Për të vetmen arsye që një falsifikator të mbrohet nga komuna e Prishtinës. Në parim nuk jemi kundër rrugës, jemi për ligjshmëri. Rruga duhet të bëhet, por duhet të tregohet se cila është pjesa jonë. Përderisa me të tjerët bëhen marrëveshje, pse me neve nuk bëhen? E kemi edhe Gjykatën Supreme që në vitin 2016 ka thënë se palët ndërgjyqësore duhet të japin pëlqimin e dy palëve në një çështje ose të ndërpritet aty ku është”, tha ai.
Dushullofci përmendi gjithashtu se problemi i pronës ka nisur me familjen Zariqi, e cila sipas tij, ka falsifikuar dokumente dhe ka përvetësuar tokën e tij që nga viti 2006. Ai tha se në vitin 2017 ndaj Sali dhe Lutfi Zariqit u ngrit aktakuzë për falsifikim të dokumenteve dhe se vetë ka dokumente origjinale nga arkivi i Beogradit që tregojnë falsifikimin e dokumenteve nga kjo familje. Ai theksoi se toka e tij është shpërndarë në emra të ndryshëm, përfshirë njerëz të luftës dhe të tjerë.
“Faktet që i kemi, e kemi vendimin e Gjykatës Supreme. Në vitin 2006, familja Zariqi, një familje anëtare e LDK-së me dokumente të falsifikuara e ka përvetësuar tokën tonë në emër të tyre. Edhe sot vazhdojnë ta mbajnë. Në vitin 2017 u ngrit aktakuzë për falsifikim të dokumenteve ndaj Sali dhe Lutfi Zariqit. Unë kam marrë edhe dokumentet origjinale nga arkivi i Beogradit që tregojnë se dokumentet janë falsifikuar nga kjo familje. Njëjtë kanë shpërndarë pronën tonë në emra të ndryshëm të njerëzve të luftës dhe të tjerëve,” tha ai.
Dushullofci bëri të ditur se toka në fjalë është 46 ari dhe se ai do ta mbrojë pronën e tij. Ai ka bërë ankesë edhe në inspektorat, por nuk ka marrë përgjigje dhe po planifikon të padisë drejtorët lokalë që sipas tij kanë njohur një të drejtë të gabuar. Ai gjithashtu ka kontaktuar prokurorin për të marrë pjesë në mbrojtjen e pronës.
“Këtu bëhet fjalë për 46 ari tokë. Parcela ku po ndërtohet rruga është e familjes sonë. Ka pasur një autolarje që e kanë dëmtuar pa vendim. Kam bërë ankesë edhe në inspektorat, por nuk kam marrë përgjigje. Sot pyeta edhe drejtorët se me çfarë të drejte kanë filluar punimet. Për Përparim Ramen dhe Sokol Havollin do të bëj padi, sepse kanë njohur një të drejtë ku e djeg një të drejtë tjetër. Jam i gatshëm të mbroj pronën time dhe kam kontaktuar edhe prokurorin që të marrë pjesë”, tha ai.